Manchester City është duke synuar të hyjë në histori të Premier Leagues në xhiron e fundit.
Kjo fundjavë në Angli do ta shënojë edhe përfundimin e epokës së trajnerit Juergen Klopp te Liverpooli.
Premier League të dielën nga ora 17:00 zhvillon xhiron e fundit të kampionatit dhe pritet të jetë dramatike.
Manchester City takohet me West Ham Unitedin, kurse Arsenali e pret Evertonin.
City e Arsenali luftojnë për titull kampioni, ndërsa në tabelë kanë dallim vetëm dy pikë, 88 përkatësisht 86 pikë.
City në ndeshjen e mbetur të martën fitoi 2:0 ndaj Tottenhamit dhe e kaloi Arsenalin në renditje.
Nëse fiton ndaj West Hamit, do ta fitonte titullin e katërt rresht.
Një sukses i tillë nuk është shënuar në elitën e futbollit anglez qëkur kjo ligë nisi së luajturi në vitin 1888.
Për trajnerin Pep Guardiola do të ishte titulli i gjashtë në tetë vjet të kaluara në “Etihad Stadium”.
Nëse City barazon dhe Arsenali fiton, ekipet do të kishin nga 89 pikë dhe do të vendoste goldallimi.
Arsenali qëndron më mirë në këtë statistikë.
Tifozët e Arsenalit kanë pak shpresa për ndonjë befasi, pasi West Hami në dy ndeshjet e fundit në udhëtim ka pranuar pesë gola, kurse City nuk ka humbur asnjë ndeshje që prej 6 dhjetorit. Është në ecuri prej 34 ndeshjeve pa humbje.
Në Angli janë caktuar skuadrat që do të garojnë në Champions në edicionin tjetër.
City, Arsenali, Liverpooli dhe Aston Villa do të garojnë në garën elitare të UEFA-s, por disa vende tjera janë ende të hapura dhe skuadrat mund të ndryshojnë në renditje.
Tottenhamit i duhet një pikë ndaj Sheffield Unitedit për ta siguruar vendin e pestë që dërgon në Ligën e Evropës.
Chelsea, Newcastle dhe Manchester Unitedi kanë dallim vetëm tri pikë.
Vendi i gjashtë shkon në Ligën e Evropës kurse i shtati në Ligën e Konferencës.
Unitedi e ka edhe një shans për garat evropiane, pasi luan në finale të Kupës FA më 25 maj kundër Cityt.
Në “Anfield” do të jetë përshëndetja e ngrohtë për trajnerin Klopp, që largohet pas afër nëntë vjetësh. Liverpooli takohet me Wolverhamtonin.