uMelburni është për të shtatin vit rradhazi qyteti më i këndshëm në botë, ndërkohë që terrorizmi dhe tensionet diplomatike zvogëlojnë kushtet e jetesës kudo në botë, sipas raportit vjetor të “The Economist”.
Malburni klasifikohet në krye të 140 qyteteve të studiuara, para kryeqytetit austriak, Vjena dhe tre qyteteve kanadeze, Vankuver, Toronto dhe Kalgëri, që përbëjnë pesë më të mirët.
“Kjo është një fitore për të gjithë viktorianët, që kontribuojnë kaq shumë që ta bëjnë Melburnin vendin më të mirë në botë për të jetuar”, deklaroi Daniel Andrews, kryeministri i shtetit të Viktorias, ku kryeqyteti është Melburni.
Ky studim, i publikuar të mërkurën, i vlerëson qytetet sipas pesë kritereve të mëdha, stabiliteti, shërbimet e shëndetësisë, kultura dhe mjedisi, edukimi dhe infrastruktura.
Sipas këtij klasifikimi, metropolet e mëdha si Nju Jorku, Londra, Parisi dhe Tokio janë plot aktivitet por vuajnë nga një kriminalitet i lartë dhe transporte publike të mbipopulluara.
Në të kundërt, “Economist’s Intelligence Unit” ka konstatuar se qytetet mesatare në vendet e pasura kanë cilësinë më të mirë të jetës.
“Këto qytete promovojnë një seri aktivitetesh krijuese pa sjellë nivel të lartë të kriminalitetit apo infrastruktura të mbipopulluara”, thekson ky raport.
Megjithatë, stabiliteti në botë vuan nga rritja e veprimeve terroriste.
“Veprime të terrorizmit të dhunshëm kanë ndodhur në shumë vende, si Australia, Bangladeshi, Belgjika, Franca, Pakistani, Suedia, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja”, konstaton ky studim.
Pavarësisht se nuk bëhet fjalë për një fenomen të ri, frekuenca dhe përhapja e terrorizmit është rritur ndjeshëm dhe është bërë më e rrezikshme.
Nga ana tjetër, ky raport tregon se shumë qytete amerikane janë skualifikuar vitet e fundit për shkak të trazirave në rritje, kryesisht të lidhura me personat me ngjyrë të vrarë nga policia, përcjell Atsh.
“Për më tepër, vendi po përballet me manifestime kundër politikës së presidentit Donald Trump”, thekson raporti duke shtuar se tensionet diplomatike nga Koreja e Veriut tek Rusia dhe Ukraina, rrit paqëndrueshmërinë në botë.
Në fund të klasifikimit gjenden kryeqyteti i Sirisë, Damasku, si dhe Lagos (Nigeri) dhe Tripoli (Libi)./Mesazhi/