Shumë prej njerëzve mendojnë se i gjymtuari i vërtetë është personi me aftësi të kufizuara, që ka humbur aftësinë për të bërë një jetë natyrale. Në fakt ky grup shoqëror që është prekur nga të meta dhe anomali mendore, mentale apo shpirtërore, në Islam përfton shpërblim dhe gëzon një pozitë përkujdesi dhe interesimi të veçantë.
Realiteti është se i gjymtuari dhe i paafti i vërtetë, është personi që e ka ç`aktivizuar dhe nxjerrë jashtë funksioni mendjen e tij, i ka ngrirë shqisat e tij dhe i ka mbytur ndjesitë e tij, duke u shndërruar kësisoj në një hajvan me pamje njeriu…
Për këtë lloj njerëzish Allahu i Lartësuar ka thënë: “…Ata kanë zemra e me to nuk kuptojnë, ata kanë sy e me to nuk shohin dhe ata kanë veshë e me to nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët (të shkujdesurit)” [Araf:179]; pra ai person që nuk mendon në rregull me mendjen e tij, që nuk ka në zemrën e tij bindje të shëndoshë, që nuk vepron sipas një programi korrekt dhe nuk ecën në rrugën e drejtë, pikërisht ai është i gjymtuari faktik.
Ndodh që një e metë fizike që prek trupin e një personi, bëhet shkak që ai të vlerësohet, të ketë sukses dhe të arrijë progres.
Teksa po lexoja jetën e njerëzve dhe yjeve të shquar në botë, pashë së një grup prej tyre ishin prekur nga anomali trupore. Kështu, Ibn Abasi, dijetari i kombit islam, humbi shikimin në fundin e jetës së tij, Katedeja ishte i verbër, Ata ibn Rabahu, dijetari i botës, ishte ulok, i gjymtuar dhe me këmbë të deformuara, Zemakhsheriu ishte me këmbë të cunguar, Ruzvelti ishte i paralizuar, Bethoveni ishte i shurdhër… Veç tyre kishte edhe shumë e shumë të tjerë të gjymtuar dhe me anomali në dëgjim, të folur apo shikim, por pavarësisht kësaj, ata e mbushën dynjanë me sukses, lavdi dhe gjurmë të mira; ndërsa ne kemi mijëra të rinj të fuqishëm, të fortë, të shëndoshë dhe të bëshëm, saqë dikush prej tyre mund t’i bëjë sfidë edhe buallit, por në jetën e tij e gjejmë këtë të ri të dështuar, e gjejmë të mos posedojë as dituri, as kuptim, as besim solid, as moral të denjë, as pjesëmarrje në jetë dhe as që pritet prej tij ndonjë dobi, ashtu siç ka thënë Hasen ibn Thebiti lidhur me këtë kategori njerëzish: Disa janë krejt në rregull sa i përket gjatësisë, trupit të bëshëm dhe ambicieve, por ne kemi parë sesi Allahu i njollosi dyfytyrëshit pavarësisht fuqisë trupore dhe elokuencës së tyre, për shkak të baltës së ecejakut të tyre dhe shëmtisë së brendisë së tyre, duke thënë për ta: “E kur t’i shohësh ata, trupat e tyre të mahnitin, e kur të flasin, fjalës së tyre i vë veshin. Po ata janë si trungje të zgavruar e të mbështetur…” [Munafikun: 4]
Ne kemi nevojë për mendjet e zgjuara, mendimet e pjekura, moralet e orientuara dhe interesimet e larta dhe nuk na duhen trupat e pajetë, shtatoret e molepsura që brenda tyre s’kanë as shpirt, as dritë dhe as ndjenja, që përbëjnë një barrë të rëndë, një mundim të ligsht për njerëzit në jetë.
Kemi parë
Kemi parë shpeshherë, se disa persona me aftësi të kufizuar janë shndërruar në histori suksesi, model të përpjekjes novatore; dikush prej tyre pavarësisht paralizimit të tij, ka arritur gradën shkencore të doktoraturës; dikush tjetër është bërë autor librash pavarësisht se ka qenë i gjymtuar fizikisht; ka të tjerë që kanë kontribuuar në projekte të dobishme dhe interesante, duke qenë me gjymtyrë të cunguara.
Stacioni televiziv islam “Ikra”, ka dedikuar një program për njerëzit me aftësi të kufizuara, që jetojnë në mesin tonë, prej të cilëve është edhe princi human, Sulltan ibn Selmani. Në këtë program inkurajues ne dëgjuam për një person me aftësi të kufizuar që përbën histori suksesi në vetvete, për atë që ka hapur derën e shpresës me të dy portat, dëgjuam shumë sihariqe për këtë kategori shoqërore, që ta rrënqethin kraharorin, sesi këta heronj e shndërruan tragjedinë në talent dhe sprovën në dhunti.
Këta njerëz na bëjnë të kujtojmë fjalët e Ebu Tajibit:
Ndoshta brenda teje ke kërshëri,
Për anomalitë ku ka rënë personi,
Por njeriu të mirën kurrë s’e di,
Ndodh t’i kurojë trupat, kjo anomali.
Ndërsa Ebu Tememi thotë: “Allahu jep dhunti edhe përmes fatkeqësisë, sado të mëdha qofshin, teksa disa njerëz i sprovon me dhunti”.
Urime personave që janë të dëmtuar në trupat e tyre, por që janë të shëndoshë në mendjet dhe besimin e tyre; përgëzime për atë që bën prej limonit një pije të ëmbël; prehje për atë që i transformon dëmet në fitim, për atë që nuk ç`aktivizohet nga ligështia, nuk e ndali gjymtimi i tij nga vazhdimi i punës, produktit dhe novacionit.
Mjerë për atë që i ka nxjerrë jashtë funksionit dhuntitë dhe talentet, që Allahu i ka dhënë, që ka jetuar si hiç dhe ka vdekur po i tillë, “Janë të vdekur e jo të gjallë, as që e dinë se kur do të ringjallen”. [Nahl: 21]
Të nderuar vëllezër dhe motra që jeni personave me aftësi të kufizuara! Nuk jeni ju të gjymtuarit. I gjymtuari i vërtetë është dështaku, i luhaturi, dembeli, që jetoi pa mision dhe pa qëllim në jetë, që në librin e jetës u shndërrua në fjalë të tepërt dhe fjali pa peshë.
Nga Aid el Karni
Perktheu Altin Torba