Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e hipertensionit?

Në ditët e sotme 18-20 për qind e popullsisë vuan nga hipertensioni arterial. Shkaqet për këtë janë trashëgimia, stresi, duhani, sëmundjet e veshkave etj. Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Shkaqet janë të shumta dhe për këtë arsye ndahet në dy grupe të mëdha:

a)hipertension arterial esencial, i cili edhe pas një sërë ekzaminimesh nuk kuptohet se nga vjen. Shpesh ka origjinë trashëgimie ose stresi, pra origjinë të brendshme.

b)Grupi i dytë është hipertensioni arterial sekondar, që tregon se ka një shkak të ndryshëm, që mund të jetë një person që ka vuajtur nga veshkat, nefriti apo infeksione të veshkave dhe quhet hipertension renovaskular.

Shkak tjetër mund të jenë sëmundje të tilla të veshkave, si p.sh ngushtimi i arteries renale, që furnizon veshkën me gjak. Duke mos u furnizuar si duhet, në veshkë krijohen çrregullime të prodhimit të hormoneve dhe për pasojë ngritje të tensionit.

Shkak tjetër janë problemet me gjëndrat e tiroides: Prodhimi i tepërt të hormonit të tiroides, shton rrahjet e zemrës, e për pasojë shkakton rritje të tensionit të enëve të gjakut. Shkaqe të tjera janë diabeti dhe tumori i gjëndrave mbiveshkore.

Grupmoshat më të prekura

Nga tensioni vuan gati 12-20 për qind e popullatës, dhe me rritjen e moshës rritet dhe përqindja e të prekurve. Por më të predispozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje është mosha mbi 45-50 vjeç për burrat dhe 50-55 vjeç për gratë.

Te gratë kjo lidhet me hyrjen në periudhën e menopauzës dhe çrregullimet hormonale karakteristike të kësaj periudhe, ndërsa te burrat me çrregullimet që pësojnë enët e gjakut, përdorimin e kripës, duhanit, alkoolit. Enët e gjakut humbasin elasticitetin, ngushtohen dhe nisin problemet me tensionin e gjakut.

Trashëgimia

Kohët e fundit po vihet re se hipertensioni po shfaqet dhe te moshat e reja. “Fajtorët” për këtë duhen kërkuar te trashëgimia, por dhe stili i jetës, aktiviteti i ulët fizik dhe regjimi ushqimor me kalori të tepërta dhe pa vlera ushqimore.

Stresi

Po ashtu stresi ndikon në hipertension. Në gjendjen stresit krijohet një ominonte në sistemin nervor, e cila shton prodhimin e adesteronit në veshka, e për pasojë çon në ngushtimin e enëve të gjakut dhe shfaqjen e hipertensionit.

Ndryshimi stinor tek të sëmurët me hipertension

Periudha e dimrit, për shkak të të ftohtit, por dhe luhatjeve të theksuara të temperaturave. I ftohti ngushton enët e gjakut dhe rrit tensionin. Prandaj këtyre pacientëve u rekomandohet të jenë korrekt në marrjen e ilaçeve dhe të kenë kujdes me menynë dhe stilin e jetës. Të sëmurët me hipertension duhet të eliminojnë daljet në ditët shumë të ftohta, të dalin vetëm gjatë orëve të ngrohta dhe të vishen mirë.

Menopauza

Një nga shkaktarët e hipertensionit është menopauza. Kjo periudhë lidhet me çrregullimet në prodhimin e hormoneve, sidomos estrogjenit që ndihmon në mbrojtjen e enëve të gjakut nga arteriosklerozat. Kur këto hormone janë në nivele të ulëta, nis formimi i arterosklerozave e për pasojë shkaktojnë hipertensionin.

Përdorimi i duhanit

Përdorimi i duhanit shton rrezikun për shfaqjen e hipertensionit arterial. Nikotina që përmban duhani çon në ngushtim të enëve të gjakut dhe sjell rritjen e presionit të gjakut.

Në rastet kur pacientët pësojnë kriza hipertensioni, ndihma më e shpejtë që mund t’i jepet pacientit në kushtet e shtëpisë, është futja e këmbëve në një enë me ujë të ngrohtë. Uji i ngrohtë ndihmon në zgjerimin e enëve të gjakut, lehtëson qarkullimin e tij dhe largon fluksin e gjakut nga pjesët e rrezikshme të organizmit, si truri dhe zemra.

Simptomat e hershme që shfaq hipertensioni:

– Dhimbje koke.

– Gumëzhitje veshësh

– Dobësi trupore

-Nganjëherë shoqërohet me gjak nga hundët.

– Depresion, ankth.

– Nervozitet

-Zverdhje ose skuqje të lëkurës.

– Ndjesi të fikti.

-Shpesh nuk ka fare simptoma te të sëmurët me hypertension

Ekuilibri midis Potasium-it dhe Sodium-it

Nga kërkimet e shkencëtarit Dahl mësohet se, fajtori kryesor në shkaktimin e hipertensionit është kripa. Mjekët e dinë tashmë ndjeshmërinë e veçantë që kanë disa pacientë me hipertension.

Tek këta pacientë nëse ndërpritet sasia e madhe e kripës që ata marrin në ushqime edhe hipertensioni zhduket. Sasia e këshilluar e kripës është 800 miligram në ditë. Por në shumicën e rasteve me hipertension ulja e konsumit të kripës (sodiumit) nuk mjafton.

Të sëmurët më hipertension duhet të respektojnë raportin e potasiumit me sodiumin për të arritur rezultate pozitive. Raporti duhet të jetë i tillë që sasia potasiumit të jetë tri herë më e lartë se sasia e sodiumit. Raporti i potasiumit me kripën duhet të jetë 3 me 1. Ky raport quhet nga shkencëtarët Faktori K.

Dy llojet e hipertensionit

Ekzistojnë dy tipa të presionit të lartë të gjakut: Sekondar dhe thelbësor (primar). Hipertensioni sekondar rezulton nga prania e sëmundjeve specifike apo të sëmundjeve të ndryshme si: Sëmundja e veshkave, tumori i tyre, ngushtimi i arterieve renale, hipertiroide apo shtatzënia.

Ky lloj hipertensioni përfaqëson një përqindje të vogël të rasteve. Një përqindje të lartë të këtij tipi e përbën hipertensioni i arteries renale, i ngjashëm me hipertensionin primar. Hipertensioni thelbësor (primar) ndodh kur enët e gjakut kontraktohen së tepërmi ose përmbajnë lëngje të tepërta dhe përbën rreth 90-95% të gjithë rasteve. Ky lloj hipertensioni nuk mund të kurohet, por mund të kontrollohet nëpërmjet ndryshimit të mënyrës së jetesës dhe mjekimeve.

Obeziteti shkaktar për hipertensionin

Obeziteti është i lidhur ngushtë me hipertensionin, sepse obeziteti vështirëson punën e zemrës për të furnizuar indet me gjak. Kontrolli i peshës është një faktor i rëndësishëm në parandalamin dhe trajtimin e presionit të lartë të gjakut.

Humbja e peshës ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe përmirëson efektivitetin e ilaçeve që përdoren për kurimin e presionit të gjakut. Po ashtu, njerëzit që bëjnë një jetë sedimentare kanë 50% më shumë mundësi që t’u zhvillohet hipertensioni sesa ata që bëjnë një jetë aktive. Aktiviteti fizik i rregullt mund të ulë presionin sistolik me rreth 10mmHg në pacientët me hipertension.

Natriumi rrit presionin e gjakut

Ekziston një lidhje e fortë ndërmjet konsumit të natriumit dhe presionit të gjakut. Vlerat e mëdha të natriumit në organizëm bëjnë që trupi të mbajë sasi të tepërta të lëngjeve, të cilat vështirësojnë punën e zemrës dhe ngushtojnë enët e gjakut, duke çuar në rritjen e presionit të gjakut.

Natriumi ul efektivitetin e ilaçeve që përdoren për trajtimin e presionit të lartë të gjakut. Ai gjendet kryesisht në kripën e tavolinës në formën e klorurit të natriumit. Shkencëtarët kanë gjetur se kaliumi dhe kalciumi kanë efekte pozitive në presionin e lartë të gjakut.

Ato ofrojnë një mbrojtje kundër presionit të lartë të gjakut dhe kundërshton efektet e natriumit. Kaliumi gjendet në sasi të mjaftueshme te frutat dhe perimet e freskëta. Sasi të vogla kalciumi gjenden në perimet me gjethe jeshile dhe në disa lloje peshqish./Mesazhi/