Cilat ushqime duhet të konsumohen në ditët e nxehta?

Zgjedhja e ushqimit që konsumohet është pjesë e rëndësishme e kujdesit ndaj shëndetit gjatë ditëve të nxehta.

Specialistja e mjekësisë familjare, Nesrije Paçarada, ka sugjeruar që në ditë të nxehta të konsumohet sa më shumë ujë dhe ushqime që i kompensojnë lëngjet trupore, si shalqiri, limoni, portokalli dhe trangulli.

“Ushqyeshmëria në këto ditë të nxehta është një faktor mjaft i rëndësishëm. Duhet të marrim sa më shumë ujë, lëngje por jo me sheqer edhe jo shumë të ftohta. Sa i përket ushqimeve duhet të jenë të pakta, të shpeshta dhe sa më shumë pemë dhe perime. T’i ikim fast food-ave, ushqimeve të zgarës, atyre me yndyrë, brumërave, sepse këto vetëm sa e përkeqësojnë këtë situatë veçse të rënduar prej kësaj nxehtësie”, ka thënë Paçarada.

Paçarada po ashtu ka sugjeruar që të konsumohen ushqimet që e rregullojnë temperaturën e trupit.

“Është me rëndësi të potencojmë që nuk duhët me marrë pije të gazuara, kafe, nuk duhet me marrë shumë sheqer sepse ushqimet e tharta, disa prej pemëve e rrisin procesin e djersitjes, edhe perimet e djegësta mund të përdoren sepse e rrisin djersitjen e duke e rritë djersitjen e rregullojnë temperaturën”, ka deklaruar ajo.

Si shumë të rëndësishme, mjekja familjare, Nesrije Paçarada, e konsideron edhe ruajtjen e ushqimit në temperaturën e duhur për shkak të helmimit që mund të shkaktojnë.

“Këtu ka rol me përmend edhe ruajtjen e ushqimit në temperaturat adekuate. Ushqimet që fillojmë t’i konsumojmë, le të jetë shalqiri përshembull, pas prerjes, pas konsumimit, pjesa tjetër duhet të jetë e mbuluar me ato enët speciale dhe të jetë në frigorifer. Ushqimet që nuk ruhen në këtë mënyrë mund të shkaktojnë helmime”, ka përfunduar Paçarada./Kallxo.com