Mbi një miliardë myslimanë janë duke agjëruar gjatë muajit të Ramazanit – i cili është një nga pesë shtyllat e Islamit – dhe po qëndrojnë rreth 18 orë në ditë pa ujë dhe pa ushqim.
Sidoqoftë, nëse agjërimi bëhet siç duhet – dhe nëse myslimanët e kanë përgatitur mendjen dhe trupin e tyre – Ramazani mund të sjellë shumë përfitime shëndetësore, transmeton Telegrafi.
Pavarësisht se disa njerëz mund të kenë probleme të ndryshme shëndetësore, si dehidratim apo zbritje në nivelet e përqendrimit – gjë e cila është e pritshme – Dr. Razeen Mahroof, anestezist nga Oksfordi, i ka ndihmuar NHS-së të përpilojnë një libër për agjërim të suksesshëm gjatë Ramazanit.
Dr. Mahroof thotë se kjo periudhë e vitit nuk mendohet gjithmonë si mënyrë për të humbur peshë sepse aspekti spiritual është më i rëndësishëm sesa ai shëndetësor. Sidoqoftë, tregon ai, muaji i Ramazanit është periudhë e mirë edhe për të fituar përfitime fizike, e jo vetëm shpirtërore.
Një nga keqkuptimet më të mëdha të Ramazanit është se të gjithë myslimanët duhet ta kryejnë këtë obligim. Sidoqoftë, kjo gjë nuk vlen për të sëmurët, për të vjetrit, për gratë shtatzëna dhe per fëmijët.
Pra, për ata të cilët janë duke agjëruar këtë vit, këto janë disa të mira shëndetësore të cilat mund t’i korrni nga agjërimi nëse e përshtatni edhe një dietë të mirë.
Përderisa dita e agjërimit zgjatë nga lindja e deri në perëndimin e diellit, energjia e trupit mund të zëvendësohet përmes dy shujtave në ditë, të cilat myslimanët kanë drejtë t’i hanë. Është e rëndësishme të merrni ushqim nga llojet e ndryshme të ushqimit, sepse kjo ju furnizon me tranzicion më të lehtë nga përdorimi i dhjamit e deri te djegia e energjisë.
Kjo do të thotë se mund të humbni peshë, nivelet e kolesterinës mund të zvogëlohen, ndërsa ju do të keni kontroll më të madh ndaj diabetit dhe shtypjes së lartë të gjakut.
Veç kësaj, vetëm pak ditë pas fillimit të agjërimit dhe trupi juaj do të fillojë të adaptohet me mënyrën e re të ushqimit dhe pijes, ku nivele më të larta të endorfineve do të shfaqen në gjakun tuaj, duke i bërë agjëruesit më të lumtur dhe duke u dhuruar shëndet më të mirë mendor.
Sa i përket iftarit dhe syfyrit, Dr. Mahroof thotë se myslimanët është mirë të kenë një dietë të balancuar, me proporcion të duhur të karbohidrateve, yndyrave dhe proteinave.