Lutja e besimtarit për vëllanë e tij musliman në mospraninë e tij:
Nga Ebu Derdaja r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka musliman që e lut Allahun për vëllanë e tij, në mospraninë e tij, e që meleku i cili është i caktuar për të, të mos e bëj të njëjtën lutje për atë që lutet.”
Lutja e atij që i është bërë padrejtësi:
“Kur i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vendosi ta dërgonte Muadhin në Jemen, e këshilloi me fjalët: “Ruaju lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, sepse me të vërtetë ndërmjet lutjes së tij dhe Allahut nuk ka kurrfarë perdeje (pengese).”
Lutja e udhëtarit:
Nga Ebu Hurejra, r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “ Tri lutje nuk kthehen mbrapa dhe për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi: lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij.”
Lutja e agjëruesit në kohën e iftarit dhe lutja e prijësit-imamit të drejtë:
Sipas hadithit që transmeton Ebu Hurejre, tre personave nuk ju kthehet lutja mbrapa: “Agjëruesit derisa të hyjë koha e iftarit, imamit të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi”.
Lutja e fëmijës së mirë:
Nga Ebu Hurejra r.a, mësohet se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kur vdes njeriu ndërpritet veprat e tij, përveç në tri raste: Nëse mbas vete len sadaka të vazhdueshme (nga e cila përfitojnë nevojtarët), dituri të dobishme dhe fëmijë të mirë, i cili lutet për të.”
Lutja e atij që është në vështirësi:
Sipas ajetit Kur’anor: “A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës…”(Neml, 62)
Ai që e kalon natën i pastër (me abdest) duke e përmendur Allahun:
Nga Muadh ibn Xhebeli transmetohet se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka besimtarë që e kalon natën me abdest dhe duke e përmendur Allahun pastaj të lutet për mirë në këtë dhe botën tjetër, e kjo lutje të mos i pranohet.”
Lutja që e bëri Junusi a.s:
”Nga Sa’d ibn Ebi Vekasi, r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, ka thënë: “Ai që e bën lutjen që e ka bërë Junusi a.s, në barkun e peshkut: ’Nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetës.’, lutja do ti pranohet.”
Lutja e atij që zgjohet nga gjumi:
Nga Ubade ibn Samiti, r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: Kush zgjohet nga gjumi dhe thotë: S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut Një dhe i pashoq, Atij i takon Sundimi dhe Lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send.
I Madhëruar qoftë Allahu, Falënderimi i takon Allahut, s’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Allahu është më i Madhi, s’ka ndryshim e as fuqi pa ndihmën e Allahut të Lartmadhëruar, -pastaj lutet dhe thotë: “O Zoti im, më fal”, lutja do t’i pranohet. Nëse pastaj fal namaz, do t’i pranohet te Allahu.
Lutja e fëmijës së sinqertë për prindërit e tij:
Nga Ebu Hurejra r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:”Vërtet, Allahu do ta ngritë në pozitë të lartë në xhenet robin e Tij të sinqertë, e ai do të thotë: ’Zoti im prej nga më erdhën mua gjithë këto të mira? Do t’i thuhet: ”Ky është rezultat i lutjes së fëmijëve tu.”
Lutja e haxhiut dhe atij që e kryen umren, si dhe lutja luftëtarit në rrugë të Allahut:
Ibn Omeri shënon se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:”Luftëtari në rrugë të Allahut, haxhiu dhe ai që kryen umren, i përmalluar për Zotin e tij, lutjet e tyre janë të pranuara dhe ajo që e kërkojnë do t’u jepet.”
Lutja e atij që e përmend Allahun shumë:
Nga Ebu Hurejra r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Tre personave lutja nuk ju refuzohet: Atij që e përmend Allahun shpesh, atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja e prijësit të drejtë.”
Duaja e atij që e do dhe e ka mëshiruar Allahu:
Nga Ebu Hurejra r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë: “Do t’i shpall luftë atij që tregon armiqësi ndaj robit Tim! Robi Im nuk më afrohet në mënyrë tjetër, përveç duke i kryer farzet (obligimet e domosdoshme).
Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare, që e shton edhe më tepër dashurinë Time ndaj tij, e kështu Unë filloj ta dua atë, e kur e dua, atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën bie, dhe këmba e tij me të cilën ecë.
Nëse ky rob kërkon diçka prej meje, Unë me siguri do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, vërtet Unë do ta strehoj atë.” /Mesazhi/