Cila parti u dënua më së shumti për mosrespektim të rregullave gjatë fushatës

“Të dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYHI, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është një lidhje por është një lodhje nuk është demokratike por është dokratike”, kështu u shpreh kryeministri Kurti në një tubim me qytetarë.

Kjo deklaratë e kreut të Vetëvendosjes ditë më parë, i kushtoi këtij subjekti 3500 euro.

Kështu vendosi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në vendimin e marrë pas ankesës së LDK-së për nxitje të gjuhës së urrejtjes.

Por Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka më së paku shkelje për 10 ditë të fushatës zgjedhore.

PZAP ka shqiptuar mbi 120 mijë euro gjoba partive politike, ku partia e cila prin me shumën më të madhe të dënimit është LDK.

“Ky institucion ka shqiptuar një mori gjobash ndaj subjekteve politike që kanë shkelur rregullat e fushatës zgjedhore, shumë totale e gjobave që ka shqiptuar PZAP është 121 mijë e 500 euro, ku prin LDK-ja, me 45 mijë euro gjobë, PDK-ja me 43 mijë euro gjobë, AAK me 23 mijë e 500 euro gjobë dhe LVV me 10 mijë euro gjobë”, ka thënë Vullnet Bugaqku nga KDI.

Se cilat janë shkeljet që po bëjnë partitë politike, treguan për televizionin nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Kryesisht shkeljet kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, me përdorimin e pasurisë apo resurseve publike, si dhe kohëve të fundit ka gjobë për vendosjen e postierëve apo materialit të fushatës zgjedhore nëpër hapësira publike”, thotë ai.

E nga Lëvizja Fol presin që këto dënime të ndikojnë që partitë politike të jenë më të kujdesshme në respektimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

“Ne do të shohim nëse këto parti politike a po arrijnë që të përmirësojnë këtë gjuhë që po përdorin, si po ndikojnë këto vendime te vetë partitë politike, pasi këto vendime të PZAP do të duhej të kishin ndikim në fushatën e partive politike”, thotë Viona Bunjaku.

Partitë politike kanë afat që brenda 15 ditësh të paguajnë gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa.