Ballina Autorë Opinione Cila është fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve?

Cila është fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve?

Hoxhë Justinian Topulli

A është ajo historike? Gjeopolitike? Identitare? Fetare? Kulturore? Karakteriale? Apo të gjitha bashkë, njëra më shumë e tjetra më pak?
Por çfarë mund të quajmë fatkeqësi? Një dëm material apo shpirtëror? Apo të dyja bashkë?
A janë fatkeqësi vetëm dëmet që na vijnë nga të tjerët apo edhe ato që i shkaktojmë vetë? Apo të dyja bashkë?
Nëse dëmi material është diçka për të cilën mund të biem dakord pak a shumë të gjithë, sepse është i prekshëm, shqisor, empirik i matshëm me shifra, po dëmin shpirtëror si do ta masim? A do të jetë kriter për të e vërteta sublime? Apo vjetërsia? Apo gjeografia? Apo raca e gjuha? Apo forca dhe pushteti? Apo interesi epokal dhe dëshirat e sotme njerëzore?
Që nga rilindja kombëtare -ajo me qasje laike dhe jo vetëm- e akoma më shumë më pas, elitat kulturore, politike dhe intelektuale u kanë kumtuar shqiptarëve, në të gjitha format e mundshme të edukimit shpirtëror, kulturor, arsimor e politik, se fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve, burimi i shumicës së të zezave dhe ligësive që ka vuajtur dhe vuan ky komb, paskësh qenë sundimi i zgjatur osman (i cili pa dyshim ka pasur kusuret dhe fajet e veta). Sundim ky, i cili për shkak të gjatësisë së tij disa shekullore, na paska deformuar gjenetikën tonë identitare e shpirtërore, e për disa edhe atë biologjike! Qe ky pushtim/sundim -sipas tyre- që na shkëputi fizikisht, shpirtërisht, fetarisht dhe kulturalisht nga shpirti dhe kultura jonë evropiane. Dhe sipas projektimit të vonshëm modern, Evropa paskësh qenë Hyjnia jonë e vetme, e vërteta jonë, e shkuara dhe e ardhmja jonë në këtë botë!
Bir besnik i kësaj Hyjnie ose profet i shqiptarisë u projektua apo u gjet, një luftëtar i suksesshëm shqiptar i shekullit XV kundra osmanëve, i cili tashmë, pavarësisht se çfarë ai kishte në mendje dhe si synim final në ato kohëra, ai u bë për shqiptarët modern idhulli dhe hyji i ri që na lidhte me hyjninë mëmë. Të gjithë apostujt e tij më pas, deri sot e kësaj dite, e adhurojnë atë si dikur paganët, hyjnitë e tyre.
Ka mbi një shekull që ne nuk jemi më pjesë e shtetit osman dhe e administrimit të tij, por edhe pse kanë kaluar kaq kohë, “ligësia” që ky sundim na la paska lënë vazhdon t’ju bëj “dëm” shqiptarëve! Kadare, një nga apostujt e sotëm më të shquar të kësaj hyjnie, e krahason Shqipërinë me shkabën. Ai në librin e tij “Mosmarrëveshja” (bot. Onufri 2010) thotë:
“Ç’kishte ndodhur njëqind vitet e fundit me Shqipërinë? Thelbi i historisë mund të përmblidhet në dy fjalë: kalvari i rikthimit në Europë. Një motërzim më transcendental do të ishte: rikthimi i shkabës së arratisur… Shqiponja, pas një robërimi të gjatë, arrin të arratiset e të kthehet te të vetët. Mirëpo, ajo në njërën nga kthetrat e saj ka një shenjë të robëruesit: një unazë. Është pikërisht ajo shenjë që bëhet shkaktare që fisi i shkabave, në vend që ta presë me mall shpendin e ikur, e pret me ftohtësi, si të huaj. Shqipëria, ashtu si shkaba, ka vonuar. Kombet e tjera e shikojnë vëngër të porsambërriturën. Në gadishullin e ngushtë ndoshta nuk ka vend për të. Për më tepër, ajo ka në trup një damkë të robëruesit osmanë.” (f. 23-24)
Edhe pse Kadare nuk guxon ta thotë troç, për arsye që kuptohen, ligjërimi i tij dhe i gjithë apostujve të hyjnisë moderne të shqiptarëve, e nënkupton qartë -për ata që nuk janë literalistë naivë-, se “unaza” dhe “damka” e “robëruesit osmanë” nuk mund të jenë kurrsesi diçka tjetër veçse feja e shumicës së shqiptarëve: Islami.
Sot më shumë se kurrë, është e mundur të hulumtohet, gjenden fakte dhe prova me duzina në historinë tonë moderne, se ligjërimi intelektual e kulturor shqiptar -në shumicën e tij-, por edhe projektimi politik, është ngritur mbi luftën ndaj kësaj “damke robërie”, për ta këputur këtë “unazë të robërisë” së Allahut dhe për të adhuruar “të lirë” Hyjninë e re apo të vjetër të shqiptarëve.
Shumica e projekteve politike, kulturore, artistike, identitare, apo broçkullave dhe hipokrizisë së kamufluar për nxitjen e tolerancës fetare -garant të së cilës pa dyshim kanë qenë dhe janë shumica myslimane-, që na vjen nga elita politike dhe kulturore apo edhe ajo fetare, ka pikërisht këtë qëllim: zhbërjen “butësisht”, si në një operacion me anestezi të plotë, të islamit të shqiptarëve.
Sigurisht, mos kërko që këtë ta thonë troç dhe drejtpërdrejtë shumica e atyre që përmendëm, sepse nuk është momenti dhe as në stilin e tyre ta bëjnë këtë gjë. Për më tepër që ajo tashmë funksionon vetvetiu në nënvetëdijen e tyre, pa qenë nevoja ta deklarojnë apo edhe identifikojnë atë. Ata që e thonë troç sot këtë gjë, edhe pse janë më të sinqertët, për të parët, janë vetëm se “radikalë”, që prishin punë dhe hapin andralla, me të cilat “pickojnë” më shumë seç duhet, duke zgjuar nga “anestezia” e operacionit njerëzit me “damkën e robëruesit”.
Por fatkeqësia e këtij kombi nuk jemi ne, as identiteti islam dhe feja jonë që ne kemi trashëguar nga të parët tanë që e pranuan atë. Fatkeqësia e këtij kombi janë pikërisht ata që u janë verbuar shpirtrat nga e përkohshmja dhe kundrejt së Vërtetës sublime. Veset dhe mangësitë tona si shqiptarë, janë pjesë e pashmangshme e natyrës njerëzore, të cilat duan kohë dhe kurohen me vështirësi, por ndërkohë ata që kërkojnë të jenë ndërgjegjja e kthjellët dhe e shëndoshë e këtij kombi, janë sëmundja dhe fatkeqësia jonë më e madhe.

Hoxhë: Justinian Topulli

Exit mobile version