Pavarësisht të gjithave dramave që ka kaluar dhe kalon populli shqiptar, historia ka vërtetuar jo në pak raste se zemërgjerësia e shqiptarëve është e madhe.
Në puntatën e fundit të emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, titulli i këtij emisioni me mision humanitar është mishëruar më së miri nga veprimi i një shqiptari që jeton në Zvicër.
Betim Sulejmajni bashkë me gruan e tij shkuan në zyrën e noterizimit bashkë me Elvis Naçin për të dhuruar shtëpinë e tyre në Shqipëri për njerëzit në nevojë, shkruan gazetaexpress, përcjell albinfo.ch
Betimi me origjinë nga Gjilani i Kosovës, shprehet se historitë e publikuara në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” e ka frymëzuar që të ndërmarrë një veprim të tillë
Betimi: E kemi obligim me lumturu shqiptarët me aq sa mundemi. Kur gëzohen shqiptarët gëzohemi edhe ne.Kur ngrohet një familje në atë hyrje që po e dhurojmë, na ngrohet shpirti edhe ne.”
Bashkëshortja e Betimit: Nganjëherë kur lutem, them “O Zot na hiq ne që kemi shumë dhe jepu pak atyre që s’kanë hiç”, dhe ashtu mundohemi ta edukojmë edhe fëmijën tonë në atë mënyrë që të jemi të barabartë. Se dikush ma shumë, dikush hiç nuk bën…nuk e di unë për vete nuk ndihem rehat.”
Për vetë noterin ky akt dhurimi është ngjarje e jashtëzakonshme pasi nuk i ka rënë rasti që të kryejë procedura të tilla më parë.
Noteri, Saimir Shatku: Ju falënderoj juve në radhë të parë që keni ardhur këtu për të bërë një gjest kaq human, kaq njerëzor. Për hir të vërtetës rrallë vijnë njerëz për qëllime të tilla. Mesazhi që jepni është hyjnor, por edhe shpirtëror. U gjendeni pranë njerëzve në nevojë.