CHICAGO (AA) – Në dy protesta të ndara të organizuara në qytetin e Chicagos në SHBA qytetarët kanë protestuar kundër presidentit Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta e parë e cila u mbajt para Ndërtesës Federale Kluczynski u realizua me rastin e Ditës Botërore të Grave. Grupi protestues prej qindra personave, shumica e të cilëve ishin gra, kritikuan presidentin Trump dhe politikat e tij.
Në protestë u theksua se ende është duke vazhduar pabarazia në pagesë ndaj grave, ndërkohë që protestuesit kanë ngritur pankarta me mbishkrime si “Duam drejtësi në pagesë”, “Fund padrejtësisë” dhe “Jo Trumpit, Ku Klux Klanit dhe Amerikës raciste”.
Ndërkaq, protesta e dytë, krahas Donald Trump, synoi edhe policinë e Chicagos. Protesta filloi në vendin e njëjtë me protestën e parë, teksa protestuesit pas fjalimeve vazhduan marshimin deri tek Trump Tower, duke tërhequr vëmendjen e dhunës policore dhe duke brohoritur slogane si “Jeta e zezakëve ka rëndësi” dhe “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”.
Protestuesit theksuan se policia duhet inspektuar nga një mekanizëm civil, ndërkohë që protesta përfundoi pa incidente.