Ish-oficeri Chauvin shkeli rregulloren duke ushtruar forcë mbi George Flyod, është kjo dëshmia e shefit të policisë e cila rendon akuzat mbi policin e akuzuar për vrasjen e 46 vjeçarit me ngjyrë, që shkaktoi zemërim e protesta jo vetëm në SHBA.
Shefi i Policisë së Minneapolis, Medaria Arradondo dëshmoi para gjykatësve se ish-oficeri Derek Chauvin shkeli linjën e veprimit të agjencisë duke përdorur forcën gjatë arrestimit të George Floyd.
Në ditën e gjashtë të gjyqit Medaria Arradondo, u shpreh para trupit gjykues se mënyra sesi Chauvin trajtoi 46-vjeçarin me ngjyrë ishte thyerje e rregullores.
Është thuajse e pazakontë që një shef policie të dëshmojë kundër njërit prej oficerëve të tij.
“Të vazhdosh të ushtrosh atë nivel force tek një person i prangosur dhe mbrapa shpine, kjo nuk është në asnjë mënyrë, formë apo pjesë e politikës sonë e sigurisht nuk është pjesë e trajnimit tonë, nuk është pjesë e etikës dhe vlerave tona,” – u shpreh Arradondo.
Ekipi i mbrojtjes pretendon se Floyd vdiq nga përdorimi i drogës dhe kushtet para-ekzistuese shëndetësore dhe jo për shkak se ish-oficeri Chauvin iu gjunjëzua mbi qafë për më shumë se nëntë minuta.
Në një material të Prokurorisë mjeku i urgjencës që shpalli të vdekur George Floyd pasi u përpoq ta ringjallte, konfirmoi se vdiq nga asfiksia.
Ish-polici Chauvin ka mohuar akuzat për vrasje të shkallës së dytë dhe të tretë, dhe vrasje pa dashje. Nëse dënohet ai do të vuajë 40 vite burg.
Tre oficerë të tjerë po përballen gjithashtu me akuza për ndihmën në vdekjen e George Floyd, ngjarje e cila shkaktoi protesta jo vetëm në SHBA por në të gjithë botën për të dënuar forcën e ushtruar nga autoritetet. /euronews