Ballina Video Ligjërata Çfarë do të thotë në të vërtetë “Allahu Ekber”?

Çfarë do të thotë në të vërtetë “Allahu Ekber”?

Nuk do ta harroj kurrë ditën kur një veteran i ushtrisë së SHBA-ve që kishte luftuar në Irak, përqafoi islamin në xhaminë ku shërbeja më parë, në Nju Orlins. Ai erdhi i veshur me uniformën e tij dhe u përmbyt nga emocionet kur dëgjoi të pranishmit të thërrisnin “Allahu Ekber” pasi shqiptoi dëshminë e besimit islam.

Veterani i ushtrisë amerikane s’kishte menduar kurrë se fjalët që e kishin tmerruar aq thellë sa kohë ishte në Irak, do të ishin mikpritëset e tij në besimin e ri. Këto janë fjalë që ai tashmë i përdor në lutjet e tij.

Ndryshe nga ç’mendojnë shumë njerëz, fjalët “Allahu Ekber” kanë kuptimin e thjeshtë “Zoti është më i madhi”. Është një deklaratë e fuqishme e përdorur nga shumë muslimanë në raste të ndryshme si dhe gjata faljeve. Këto fjalë janë kremtim i jetës. Janë fjalët e para që prindërit muslimanë pëshpëritin në veshët e të sapolindurve. Ato përdoren për të shprehur falënderim dhe mirënjohje kur Zoti të mundëson diçka që do të ishte e pamundur të arrihej pa mirësinë dhe caktimin hyjnor. Është një frazë lutjeje që na kujton se pavarësisht problemeve dhe shqetësimeve tona, Zoti është më i madh se ato dhe plotësisht i fuqishëm për t’i zgjidhur.

Këtë janar, besimtarët në një xhami në Kebek dëgjuan thirrjen “Allahu Ekber”, pikërisht frazën që recitojnë në lutjen e mëngjesit, të dilte nga goja e sulmuesit të bardhë supremacist në çastin përpara se të hapte zjarr duke vrarë 6 muslimanë. Ndërsa muslimanët në një xhami në Minesota po recitonin “Allahu Ekber” gjatë lutjes së mëngjesit, kur xhamia e tyre u sulmua me bomba molotov në muajin gusht.

A përdoret “Allahu Ekber” ndonjëherë si thirrje lufte? Po, edhe pse siç senatori Xhon Mekein argumentoi në Fox News, kjo nuk e bën togfjalëshin në vetvete të urryer. Duke theksuar se edhe muslimanët e moderuar përdorin togfjalëshin “Allahu Ekber”,  Mekein tha se shprehja nuk është aspak shqetësuese, njësoj si në rastin e një të krishteri që thotë “Falë Zotit”.

Nga forma sesi “Allahu Ekber” shpesh paraqitet në media, duket sikur i shërben një agjende të poshtër: për të ngulitur frikë ndaj kujtdo që përdor këtë shprehje dhe për të ngritur shqetësime mbi vetë islamin si fe. Por, një terrorist që bërtet “Allahu Ekber” ndërsa vret njerëz të pafajshëm në rrugët e Nju Jorkut, nuk është zotërues i këtij togfjalëshi dhe as s’mund ta përvetësojë atë. Ashtu siç përdorimi i kësaj thirrjeje nga një person emri i të cilit tingëllon si musliman, s’mund të shërbejë si provë e mjaftueshme për të përcaktuar motivin e një sulmi.

Hasan Shibli, drejtori ekzekutiv i CAIR Florida (Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islame), në përgjigje të sulmit të ndodhur në Nju Jork u shpreh se, “Është akti më i rëndë i herezisë të përmendësh emrin e Zotit ndërsa kryen krimin më të madh kundër Zotit.”

Nuk është fenomen i ri që këto fjalë të përdorura për të kremtuar jetën, ndonjëherë shoqërojnë akte të tmerrshme.

Një nga ironitë më të mëdha të vërejtura nga shokët e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), ishte lindja dhe vdekja e Abdullah ibn Zubejr.

Abdullah ibn Zubejr ishte fëmija i parë i lindur në komunitetin musliman pasi ata kishin emigruar nga Meka në Medinë, për t’i shpëtuar persekutimit.

Disa banorë të Medinës u thanë muslimanëve se u kishin bërë një magji që do t’i pengonte të lindnin fëmijë. Kur Abdullahu lindi, gjyshi i tij, Ebu Bekri, e shëtiti nëpër rrugë ndërsa njerëzit thërrisnin të lumtur “Allahu Ekber”.

Kur Abdullahu u vra nga një tjetër grup muslimanësh, ndërsa luftonte për drejtësinë në Mekë, vrasësit e tij gjithashtu thërritën “Allahu Ekber”.

Një dëshmitar tha, “Unë isha i pranishëm ditën që Abdullahu lindi, dhe jam këtu ditën që vdiq, prandaj dëgjova ata që thirrën ‘Allahu Ekber’ ditën që lindi dhe ata që thirrën ‘Allahu Ekber’ ditën që vdiq, dhe betohem në Allah se ata që thirrën ‘Allahu Ekber’ ditën që lindi, ishin shumë më të mëdhenj dhe të drejtë se ata që thirrën ‘Allahu Ekber’ sot.”

Edhe pse ata që vranë Abdullahun përdorën të njëjtat fjalë me ata që festuan lindjen e tij, vetëm njëri grup nderoi dhe lëvdoi vërtet madhështinë e Allahut. Ata meritojnë të përshkruhen si njerëz që “jetojnë në një mënyrë që kremton madhështinë e Allahut duke iu bindur urdhrave të tij dhe duke i shërbyer krijesave të tij, jo si ata që shkelin urdhrat e Allahut dhe sulmojnë padrejtësisht krijesat e tij.”

Ne, nuk duhet të lejojmë terroristët ose agjendat e frikës të përvetësojnë këto fjalë, koncepte, ose përkushtimet e gjendura në tekstet e shenjta të çerekut të popullsisë së botës. Kjo do t’ju jepte atyre pikërisht atë që duan. Dhe Zoti, është shumë më i madhërishëm se shëmtia e kryer në emër të Tij. “Allahu Ekber…!”

Imam Omar Suleiman është themeluesi dhe presidenti i Institutit Jekin për Kërkime Islame si dhe profesor për Studimet Islame në Universitetin “Southern Methodist”.

Burimi: cnn.com

Exit mobile version