Çfarë të bëni nëse fëmija ngufatet?

Ngufatja është një prej shkaktarëve më të mëdhenj të lëndimeve dhe madje vdekjeve të fëmijëve, veçanërisht ata të moshës tre vjeçe ose më të rinj, tregojnë statistikat amerikane.

Andaj, prindërit dhe kujdestarët tjerë kanë nevojë të dinë se çfarë duhet të bëjnë në raste të tilla.

Ushqimi, lodrat dhe monedhat janë ndër incidentet më të shpeshta të ngufatjes te fëmijët, të cilët, sipas Akademisë Amerikane të Pediatërve, i vendosin këto objekte në gojën e tyre derisa eksplorojnë ambientin rreth tyre.

“Nëse një fëmijë ngufatet ose përpin diçka të rrezikshme, prindërit dhe kujdestarët mund t’i ofrojnë lëngje ose/dhe gjëra të ngurta për të ngrënë, por kjo nuk rekomandohet.

Po ashtu, prindërit nuk duhet ta detyrojnë fëmijën të vjellë. Dërgojeni fëmijën menjëherë te mjekë ose dërgojeni atë në dhomën e emergjencës”, thotë mjeku amerikan Dr. Grace Arteaga, pediatër në Qendrën Mayo Clinic Children.

Nëse fëmija kollitet fuqishëm pasi ka përpirë një objekt, inkurajoni atë të vazhdojë të kollitet dhe mos i ndërhyni./mjeku.net/

Por nëse objekti i përpirë bllokohet në rrugët e ajrit dhe fëmija më nuk mund të kollitet dhe frymëmarrja bëhet më e vështirë, prindërit dhe kujdestarët duhet të përdorin hapat “pesë-pesë” si në vijim:

  • E para, jepni pesë goditje shpine në mes të skajeve të shpatullave të fëmijës me shuplakën e dorës tuaj.

 

  • Pastaj, jepni pesë shtypje abdominale, të barkut (të njohura si manovra e Heimlich). Për foshnjat, përdorni ngjeshjen në gjoks me gishtat e parë, pasi shtypja abdominale mund të shkaktojë lëndime.

 

  • Bëni pesë goditje shpine dhe pesë shtypje barku/gjoksi derisa të eliminoni bllokimin e fytit. Në të njëjtën kohë, dikush tjetër duhet të kërkojë emergjencën.

Ngufatja te foshnjat kërkon mënyra të tjera të reagimit krahasuar me fëmijët më të moshuar.

Këshillat për foshnjat janë ndryshe. Mbajeni foshnjën me fytyrë teposhtë në krahun tuaj. Koka e foshnjës duhet të jetë më poshtë se trupi i tij.

Goditeni foshnjën në mënyrë të vendosur në mes të shpinës duke shfrytëzuar rrënjën e shuplakës së dorës tjetër tuaj.

Kombinimi i gravitetit dhe forcës nga goditja juaj me dorë duhet ta çlirojë objektin që ka bllokuar rrugët e frymëmarrjes së foshnjës.

Ekspertët amerikanë këshillojnë kundër përdorimit të gishtit për ta futur në gojë, pasi kjo mund ta fusë objektin më thellë në rrugët e frymëmarrjes së fëmijës. /Mesazhi/