Çfarë quhet sukses?

Dr. Naif bin Nehar

Nuk mund të gjykohet një përvojë si e suksesshme ose e dështuar, përveç nëse pajtohemi mbi kriterin me të cilin e gjykojmë. Për shembull, mund të gjesh një person që e nënçmon dhe e sakrifikon veten për të arritur një post. Nëse ai e arrin, e konsideron veten të suksesshëm, sepse kriteri i suksesit për të është arritja vetë. Nga ana tjetër, një person tjetër mund ta shohë këtë si dështim, sepse për të, kriteri i suksesit është ruajtja e dinjitetit. Kështu, dallimi në kritere çon në dallime në gjykim.

Të njëjtën gjë mund ta zbatojmë për “Tufanin e Al-Aksasë”. Gjykimi mbi të varet nga kriteri që përdoret për të gjykuar. Ata që e kritikojnë tufanin sot, po e gjykojnë me kriterin e kostos. Për ta, pasi kostoja është e lartë, atëherë operacioni ishte i gabuar. Por kriteri i kostos nuk është gjithmonë i saktë. Dëshmia për këtë është fakti se të gjithë sot janë të lumtur për fitoren e revolucionit sirian, pavarësisht se kostoja e tij është shumëfish më e lartë se ajo e Gazës. Po ashtu, të gjithë krenohen për revolucionin algjerian, i cili kishte një kosto shumë më të madhe. Dhe të gjithë e konsiderojnë Bashkimin Sovjetik të suksesshëm kur dëboi nazistët, edhe pse ai humbi njëzet milionë njerëz!

Nëse do të gjykonim me kriterin e kostos, atëherë kjo do të thotë që, nëse Izraeli do të pushtonte ndonjë vend arab, askush nuk duhet ta kundërshtonte, sepse rezistenca do të kishte një kosto të madhe në jetë njerëzish. Kështu, kriteri i kostos na çon në një zgjedhje të vetme ndaj Izraelit: dorëzimin.

Pse flasim për koston e luftës, por nuk flasim për koston e paqes? Bregu Perëndimor ka humbur më shumë se 40% të territorit të tij për shkak të paqes, dhe 800,000 kolonë izraelitë janë vendosur në Bregun Perëndimor për shkak të paqes. Pse na shqetëson kostoja e luftës, por shmangim të flasim për koston e paqes?

A do të thotë kjo se kostoja nuk është e rëndësishme? Sigurisht që është e rëndësishme dhe thelbësore, por duhet t’i shtojmë një kriter tjetër: kriterin e dobisë. Kostoja, nëse nuk ka një dobi të përshtatshme, është thjesht një veprim i papjekur dhe i kotë.

A ishte tufani i dobishëm në projektin e shkatërrimit të entitetit sionist?

Rreth kësaj pyetjeje duhet të zhvillohet diskutimi ynë. Personalisht, mendoj se ishte jashtëzakonisht i dobishëm dhe mund të përmendim dhjetëra arsye që e vërtetojnë këtë dobi. Vetë sionistët kanë pranuar shumë prej tyre. Por, sipas mendimit tim, dobia kryesore është se tufani vendosi Izraelin në një rrugë tatëpjetë në mënyrë praktike. Kur rezistenca godet thelbin e sigurisë izraelite duke shkaktuar emigrimin më të madh në historinë e Izraelit, dhe kur Izraeli mobilizon të gjithë forcën e tij me mbështetje të pakushtëzuar nga fuqitë perëndimore për një vit e gjysmë, dhe më pas rezistenca del e qëndrueshme dhe e palëkundur, si të ishte një luftë e një dite apo pak më shumë, atëherë kjo është goditja më e madhe për vullnetin e mbijetesës së shoqërisë sioniste dhe për vullnetin luftarak të ushtrisë izraelite. Kur godet vullnetin e mbijetesës dhe atë të luftës njëkohësisht, praktikisht ke vendosur Izraelin në rrugën e rrëzimit nga maja.

Dr. Naif bin Nehar