Shumë thonë se hapja e gojës është ngjitese…dhe nuk gabohen. Ekspertët janë përpjekur të zbulojnë se çfarë ndodh në trurin e njeriut që e nxit një veprim të tillë.
Hapja e gojës pa vetëdije, sipas tyre, është një formë e zakonshme e echophenomena, imitimi në mënyrë automatike i fjalëve, apo veprimeve të dikujt tjetër. Për të parë më qartë reagimin e trurit në një situatë të tillë, shkencëtarët monitoruan 36 vullnetarë të vendosur përballë personave që u hapej goja.
Studimi i tyre, i publikuar në revistën Current Biology, tregon se disa prej pjesëmarrësve në eksperiment iu tha se nuk kishte asnjë problem nëse bënin dhe ata të njëjtën gjë, ndërsa të tjerëve iu kerkua ta frenonin këtë veprim.
Në këtë mënyrë, ekspertët kërkuan të shohin sesi funksiononte korteksi motor primar e të masnin ngacmueshmërine e tij. Pas kësaj, duke përdorur stimulimin e jashtëm magnetik transkranial TMS, u arrit të shtohej niveli i ngacmimit në korteks e bashkë me të dhe prirja e natyrshme për gogësimën ngjitëse.
“Ne ende dimë relativisht pak rreth këtij fenomeni”, pohon me thjeshtësi doktor Andrew Gallup, psikolog në Universitetin Shtetor të Nju Jorkut, në Albany, i cili ka kryer studime mbi lidhjen mes empatisë dhe hapjes së pavullnetshme të gojës.
Por, stimulimi magnetik përbën, sipas tij një qasje të re në këtë drejtim, sepse tregon se fenomeni nuk ka të bëjë shumë, siç pretendohet, me aftësinë për të formuar lidhje emocionale me të tjerët.