Çfarë kërkon një djalë kur i afrohet një vajzeje?

Xhasim Mutawa

Gjinia femërore është më e aftë se gjinia mashkullore për të mbajtur mend fytyrat dhe format, kurse mashkulli është më i aftë për të mbajtur mend numrat dhe të dhënat. Kjo është në përgjithësi, megjithëse ka edhe përjashtime. Mashkulli dhe femra kanë cilësi të përbashkëta dhe ashtu sikur kanë edhe dallime në aspektin psikologjik, shoqëror, fizik, madje edhe në mënyrën se si mendojnë dhe analizojnë.

Në këtë artikull, më së shumti ajo që na intereson është formimi i marrëdhënieve shoqërore dhe miqësive midis mashkullit dhe femrës. Femra është më e ndjeshme në marrëdhëniet me njerëzit, i jep rëndësi fitimit të simpatisë dhe bashkëpunimit me ta dhe përpiqet mos t’i lëndojë apo t’i dëmtojë ata. Në shumicën e rasteve, ajo nuk ka një qëllim të qartë kur fillon një marrëdhënie shoqërore; mund ta fillojë atë  thjesht për të biseduar, për të kaluar kohën, për t’u argëtuar apo për të larguar stresin.

Kurse mashkulli – në përgjithësi –  ka qëllime dhe synime të qarta para se të fillojë një marrëdhënie apo miqësi. Ai e di mirë çfarë dëshiron nga marrëdhënia përpara se të hyjë në të, veçanërisht kur bëhet fjalë për një marrëdhënie me një femër. Qëllimi i tij mund të jetë i hapur ose i fshehur, por ai përpiqet me gjithë forcat e tij për ta arritur atë.

Kur mashkulli arrin një fazë të jetës në të cilën fillon të ketë ndjeja për gjininë tjetër, ai nis të krijojë marrëdhënie dhe miqësi sipas një plani të qartë në mendjen e tij. Ky plan mund të jetë i hapur ose i fshehur, dhe përpiqet me të gjitha mjetet e mundshme për të arritur qëllimet e tij. Suksesi ose dështimi i këtij plani varet nga përgjigjja e partneres së tij.

Nëse femra e trajton mashkullin në një mënyrë që kuptohet si “Ruaji kufijtë!”, ai gradualisht tërhiqet nga plani që ka në mendje, qoftë ky plan i mirë apo i keq. Megjithatë, ai nuk e anulon plotësisht dhe vazhdon të shpresojë për një përgjigje pozitive nga ajo, qoftë edhe pas një kohe.

Mirëpo, nëse ajo e trajton atë në një mënyrë që kuptohet si “Ndihu i lirë!” dhe i përgjigjet atij pozitivisht, mashkulli fillon të ndihet i sigurtë dhe teston reagimet e saj në çdo hap për t’u siguruar që ajo pranon atë që ai bën. Duke u bazuar në këtë, ai përpunon më tej, planin e tij dhe kalon në një “sulm” të plotë për të arritur qëllimin e tij madhor. Tamam siç thuhet në një proverb: “Ujku nuk rend kot.” Sepse ai rend pas presë.

Nëse nuk do të kishte një reagim pozitiv nga ana e femrës, meshkujt nuk do të bënin as edhe një hap përpara. Prandaj edhe Allahu i Madhëruar  e përmend gjininë femërore përpara para asaj mashkullore në lidhje me krimin e imoralitetit, duke thënë: “Lavirin dhe laviren, ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje.”[1] Në këtë rast është femra, ajo e para e cila ndez dritën e gjelbërt për mashkullin. Ndërsa në lidhje me krimin e vjedhjes, Allahu e përmend mashkullin përpara femrës, duke thënë: “Vjedhësit dhe vjedhëses, pritjani duart!”[2] Në këtë rast dritën e gjelbërt e ndez mashkulli. Kjo do të thotë se prostitucioni ka lidhje me emocionet kurse hajdutlliku ka lidhje me përvetsimin e pasurisë së tjetrit me pa të drejtë. Kështu pra secila prej gjinive ka tendencat e veta dhe pikat e saj të dobëta.

Ajo që më shtyu të shkruaj rreth kësaj teme është numri i madh i problemeve që lindin nga marrëdhëniet e miqësisë midis meshkujve dhe femrave, qofshin të martuar apo beqarë. Sa e sa histori kam dëgjuar ku meshkujt përpiqen të mashtrojnë dhe gënjejnë femrat. Një nga rastet më të çuditshme që kam dëgjuar është rasti i një djali që u njoh me një vajzë dhe zbuloi se ajo ishte e përkushtuar. Ai filloi ta zgjonte atë çdo mëngjes për namazin e sabahut dhe ta këshillonte për devotshmëri. Kur marrëdhënia midis tyre u forcua dhe ajo filloi të kishte besim tek ai, ai e mashtroi atë, mori atë që donte nga trupi i saj dhe  pastaj u zhduk pa lënë gjurmë. Vajza mbeti duke qarë ditë e natë, e penduar për veprimin e saj dhe për mashtrimin që i ndodhi nga ai djalë.

Një rast tjetër është rasti i një vajzë që pranoi të mashtrohej nga mesazhet romantike që një djalë i dërgonte përmes “WhatsApp-it”. Pasi i besoi dhe veproi sipas dëshirave të tij, ajo u pendua për atë që kishte bërë.

Mendoj se lexuesi tani po thotë me vete: “Fjalët e tua janë të vërteta, por jo të gjithë meshkujt kanë plane të këqija.” Dhe unë i them lexuesit të dashur se jam plotësisht dakord me këtë mendim. Megjithatë, synimi im ishte të nxjerrë në pah një çështje shoqërore që është e përhapur në shoqëritë tona.

Dëshiroj t’i pëshpëris në vesh çdo vajze dhe t’i them që të mos mashtrohet: “Kujdes për veten dhe forcoje besimin tënd te Zoti!” Porta më më e madhe nga e cila një djalë mund të mashtrojë një vajzë është  porta e emocioneve ku ai thurr për të lëvdata.

Nëse një djalë planifikon të përfitojë nga një vajzë, do të shtiret sikur është në një marrëdhënie të sinqertë emocionale me të, por në të vërtetë ai po e mashtron atë për të arritur qëllimin e tij. Për të, marrëdhënia intime është një veprim mekanik i shpejtë, vetëm pak çaste, dhe më pas gjithçka përfundon.

Ndryshe ndodh me vajzën, ajo nuk mund t’ia dorëzojë trupin një djali që nuk e do, ose zemrën e saj dikujt me të cilin nuk është e lidhur emocionalisht. Për vajzën, dashuria është një çështje themelore prandaj edhe reagon pozitivisht ndaj kërkesës së një djali. Kurse përsa i përket djalit, nuk është e njëjta gjë, pasi ai mund të shtiret sikur e dashuron atë vetëm për të arritur qëllimin e tij.

Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm. Allahu është mbrojtësi më i mirë

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Nur: 2.

[2] – Sure Maide: 38.