Një prind i kujdesshëm duhet t’i japë kurajo dhe të sillet me fëmijët në mënyrë shoqërore, duke i dhënë mundësinë të shfaqë vlerat e tij në ato që arrin të kryejë në përshtatje me moshën.
Çfarë e bën një fëmijë të ndrojtur?
Kështu, jo pak herë, fëmijët përjetojnë ndjenja të një frike të pashpjegueshme, sidomos kur ata gjenden përpara të rriturve e fëmijëve që nuk i njohin. Në më të shumtën e rasteve, ata tërhiqen dhe ndjekin situatën që larg, fshehur në ndonjë cep të shtëpisë.
Është e qartë se fëmijët ndryshojnë njëri nga tjetri, si rrjedhim, ata i përjetojnë momentet e kontaktit me persona të panjohur, jo në të njëjtën mënyrë.
Te disa, kjo lloj frike shfaqet në formën e turpit (ndrojtjes), të tkurrjes. Ndërsa tek fëmijë të tjerë, ky fenomen lidhet me mungesën e pavarësisë dhe lidhjes së ngushtë me ambientin familjar që e rrethon.
Jo pak herë tek ata kontakti me figura të reja shoqërohet me qarje, që tregon qartë frikën që ekziston brenda tyre, transmeton Telegrafi.
Si mund të trajtohet një fenomen i tillë’?
Shumë psikologë theksojnë se është shumë e thjeshtë të ndryshosh diçka në sjelljen e fëmijës, mjafton që ai element të mos jetë i lindur. Kështu nëse bëhet fjalë për ndrojtjen, ka raste kur ajo është e pandreqshme.
Kjo ndodh kur ndrojtja, përfaqëson një mënyrë sjelljeje, e cila është trashëguar nga prindërit tek vogëlushi.
Një jetë familjare pa shumë marrëdhënie shoqërore, një kujdes i tepruar dhe i ekzagjeruar i prindërve për fëmijën, një metodë pedagogjike shumë e rreptë etj, të gjitha këto mund të bëhen shkak për lindjen e ndjenjës së pasigurisë tek fëmija, e cila shfaqet më frikën apo tmerrin ndaj të panjohurve.
Mënyra më e mirë për të luftuar ndrojtjen
Mënyra më e mirë për të luftuar ndrojtjen tek fëmija është që ta lini atë të lëvizë në ritmet e tij normale, të moshës. Jepini fëmijës kohën që ai ka të nevojshme për t’u përshtatur me situatat e reja, të panjohura dhe lëreni atë të kërkojë dorën tuaj atëherë kur ai e ndjen të nevojshme.
Nëse këndvështrimi juaj, rreth kësaj mënyre sjelljeje, bazohet tek parja e saj si një gjë e qenësishme (ekzistuese, normale për moshën e tij), atëherë të tretët- nuk do ta “tallin” vogëlushin, siç ndodh rëndom.
Në këtë mënyrë, ju ndihmoni në formimin e rritjen e vetëbesimit tek fëmija, brenda një kohe tepër të shkurtër.
Ndodh, që kjo mënyrë sjelljeje e shfaqur nga fëmija, kur ai bie në kontakt me njerëz të panjohur, mund të jetë tepër zhgënjyese, sidomos për prindin, i cili kërkon të rrënjosë tek fëmija i tij guximin dhe pavarësinë.
Por nëse, këtë zhgënjim e shprehni, duke e diskutuar me njerëz të tretë, në rastet kur fëmija është prezent, atëherë do ta bëni fëmijën të ndjehet akoma më shumë i pasigurt.
Para së gjithash, duhet të shqyrtoni ankesat tuaja, nëse ato janë të drejta e logjike. Apo mos ndoshta jeni shumë i rreptë dhe kërkoni gjëra të tepruara, të cilat fëmija nuk është në gjendje t’i kuptojë e t’i bëjë?
Një prind i kujdesshëm duhet t’i japë kurajo dhe të sillet me fëmijën në mënyrë shoqërore, duke i dhënë mundësinë të shfaqë vlerat e tij në ato që arrin të kryejë në përshtatje me moshën. Kështu fëmija do të mund te ketë një mendim më të qartë mbi vlerat që zotëron.
Gjithashtu, duhet të ndihmoni fëmijën që të realizojë marrëdhënie shoqërore, të cilat janë të domosdoshme, në mënyrë që ai të dijë si të sillet dhe të mos ketë komplekse.
Kështu, ia vlen t’i krijoni mundësinë për të luajtur me fëmijët e tjerë, për t’i njohur dhe për të bashkëpunuar me ta, për t’u ndjerë thellësisht i lirë, plot besim në veten e tij.
Një prind i mirë kujdeset dhe i ka parasysh të gjitha këto./Mesazhi/