Rezoluta në OKB, që nisja e vrasjeve masive nga ushtria serbe në Srebrenicë të Bosnjës më 11 korrik 1995 të caktohej si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit serb, ka sjellë imperative që OKB-ja duhet ta bëjë të njëjtën gjë, duke caktuar një ditë në kujtim të 13 mijë të vrarëve dhe dëbimin e 1 milionë shqiptarëve nga Kosova nga janari i 1998-tës deri në qershor të 1999-tës. Përse Europa e përkëdhel Serbinë dhe ç’duhet të bëjnë shteti i Kosovës dhe shteti i Shqipërisë që kjo të arrihet.
Roland QAFOKU, Tiranë
Kur koha po lëpinte ende plagët e pashëruar për atë që ndodhi më 11 korrik të vitit 1995 në rajonin e Srebrenicës në lindje të Bosnjë Hercegovinës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që pikërisht dita e 192-të e vitit të jetë dita ndërkombëtare e atij gjenocidi. U desh të kalonin 29 vjet që institucioni më i lartë internacional në rruzull të miratonte një rezolutë që e nderonte kujtimin e 8372 mijë burrave, grave dhe fëmijëve nga mosha 12 deri në 77 vjeç që u masakruan nga makineria ushtarake serbe. Por, teksa 84 shtete votuan pro kësaj rezolute, nga 171 shtete që votuan, dhe kjo mjaftoi që ajo të miratohej, bota pa edhe njëherë që paturpësia politike ka prekur majat edhe kur diskutohet në nivele ndërkombëtare. Jo vetëm pse 19 shtete votuan kundër dhe jo pse 68 shtete abstenuan, por sepse Serbia, shteti që e prodhoi këtë krim monstruoz masiv mu në qendër të kontinentit gjysmë shekulli pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nuk ndjehet aspak fajtore. Përfaqësuesi më i lartë i saj, presidenti Aleksandër Vuçiq, që ishte i pranishëm gjatë asaj seance, bëri një gjest turpi teksa me një flamur serb të hedhur krahëve e puthte dhe lëshonte fraza dhe fjali patriotike për kombin e vet. Pra, përfaqësuesi më i lartë i atij kombi jo vetëm nuk ndjen aspak dhimbje për 8 mijë viktimat e shkaktuara nga bashkëkombësit e tij, por ai nuk ndjente asnjë dhimbje që një krahinë me 25 mijë banorë vetëm për 11 ditë, nga data 11 korrik deri në 22 korrik 1995, mbeti me 17 mijë banorë, sepse të tjerët u zhdukën nga kjo jetë. Ai, pa asnjë pikë turpi, bëri viktimën për një krim masiv, duke kërcënuar edhe me fraza të tilla si ajo që tha se “po hapet Kutia e Pandorës” ose tjetra se “ky vendim në Ballkan do të ketë pasoja të mëdha”. Ishte një kërcënim në një humbje të madhe teksa i njëjti Vuçiq, dikur ministwr i Propagandës në qeverinë e Sllobodan Millosheviqit, turfulloi ndaj përfaqësuesve të gjithë botës se Serbia nuk e meritonte atë vendim që e njohu botërisht si një shtet që bëri gjenocid ndaj një popullsie myslimane në zemër të kontinentit plak. Në ato minuta dhe orë atje, në selinë e OKB-së, ne pamë arsyen e madhe përse Serbia, që ka bërë katër luftëra në Ballkan, duke shkaktuar dhjetëra mijëra viktima, nuk kërkon falje. Madje, është gati të kërkojë nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova t’i kërkojnë falje. Një sjellje tipike dhe ekskluzive e një populli dhe kombi me probleme të rënda në ndërgjegjen e vet kombëtare.
Kosova pas Srebrenicës
Kush e ndjek, qoftë minimalisht, politikën ndërkombëtare nga ajo që ndodhi në sallën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në pallatin e xhamtë në Nju Jork, nuk e ka të vështirë të kuptojë arsyet e vërteta të këtij aktrimi të Aleksandër Vuçiqit. Ai ishte prezent në sallën me sfond të gjelbër jo sepse mund të bënte diçka për të mos u miratuar ajo rezolutë. Ai e dinte fort mirë dhe ishte i bindur që ajo do të miratohej. Por, ai bëri atë reagim të denjë për shekujt e errët të Mesjetës, për atë që ai synon ta ndalojë në të ardhmen – që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të mos miratojë një rezolutë të dytë për krimet masive dhe gjenocidin që Serbia bëri në Kosovë nga janari i vitit 1998 e deri në qershor 1999, kur ajo u çlirua nga trupat e NATO-s. Vërtet tashmë Srebrencia bëri që bota të përdorë një fjalor tjetër ndaj Serbisë, por realisht meraku real i politikës zyrtare serbe është dhe do të mbetet Kosova. Frazat e Vuçiqit se tashmë do të hapet Kutia e Pandorës dhe se Gadishulli i Ballkanit do të ketë trazira janë tipike dhe të përafërta me politikën kriminale serbe të ish-shefit të tij, Sllobodan Millosheviq, i cili si në 1995 në Srebrenicë, ashtu edhe më 1998 në Kosovë nuk pyeti as për Europën e as për reagimet që mund të bënte ajo. Ai nuk pyeti në atë kohë as për thirrjet e institucioneve ndërkombëtare dhe të vetë OKB-së, por iu kundërvu edhe me armë misioneve të saj në Bosnjë. Por, a mund të ndodhë që Aleksandar Vuçiqi dhe makineria e tij politike të mund ta pengojë një rezolutë të tillë për Kosovën, duke përdorur kërcënimin për luftë si armë? Realisht, ai i ka dy avantazhe të mëdha, që – pavarësisht se irritojnë kur i dëgjon – duhet t’i pranojmë se ekzistojnë. E para është qëndrimi tolerues deri në përkëdhelje nga Europa ndaj Serbisë dhe e dyta mungesa e një uniteti mes shqiptarëve për të patur një strategji të qartë, të plotë dhe unifikuese ndaj asaj që ndodhi në Kosovë gjatë asaj periudhe. Këtë e pengon pak edhe fakti që në Hagë aktualisht ndodhen ish-drejtuesit e UÇK-së dhe ky është një turp ndërkombëtar, që në vend që atje të ishin urdhëruesit dhe ekzekutuesit e atij gjenocidi, në vend të tyre ndodhen ata që i mbikëqyrën njerëzit dhe shtëpitë e tyre. Dhe, këtë kazus nuk ka jurist që e shpjegon. Është sikur pas Luftës së Dytë Botërore në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Nurenbergut të mos ishte Herman Goering me të tjerë, por ata që e drejtuan rezistencën nëpër Europë dhe që kishin mbrojtur tokën dhe njerëzit e tyre.
Serbia e përkëdhelur nga Europa
Europa ndjehet e lodhur prej asaj që serbët kanë bërë në Ballkan. E, megjithatë, vijojnë ta tolerojnë dhe përkëdhelin Serbinë. Ngjan si e njëjta panoramë me atë që ndodhi me gjermanët dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atë krim masiv, ato gjashtë milionë vrasje, u përkrahën dhe u mbështetën nga intelektualët më në zë në Europë dhe ky ishte turpi më i madh në kontinent me atë që po ndodhte. Por, e njëjta gjë ndodhi në vitin 1998 dhe 1999. Krimet e serbëve ndaj shqiptarëve u mbështetën dhe ndihmuan nga intelektualë në Serbi, Itali, Greqi, Spanjë e të tjerë dhe ky ishte turpi më i madh në kontinent, që po përsëritej pas 50 vjetëve. Sipas një raporti dhe studimi të Agjencisë së Arkivave të Kosovës, të publikuar më 20 shkurt 2014, rezulton se nga janari i vitit 1998 deri më 12 qershor 1999 makineria ushtarake serbe vrau 12 843 shqiptarë, nga të cilët 7439 ishin vajza dhe gra, 392 ishin fëmijë deri në 18 vjeç, 296 ishin fëmijë deri në 5 vjeç, 1882 ishin të moshuar mbi moshën 65-vjeçare, ndërsa 1450 persona ende rezultojnë se janë të zhdukur. Këtyre shifrave kriminale masive u shtohet edhe dëbimi masiv nga Kosova i më se 1 milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, duke i nxjerrë me dhunë edhe nga territori i Kosovës si të ishin kope bagëtish. Sipas të dhënave të UNCHR-së, 443.300 shqiptarë të Kosovës u vendosën në Shqipëri, 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi, 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë dhe pjesa e mbetur u vendosën në shtete të ndryshme në Europë dhe botë. Kësaj panorame të zezë i shtohet edhe shkatërrimi dhe djegia e më se 188 mijë objekteve banimi. Nga këto 358 ishin shkolla të shkatërruara dhe të dëmtuara rëndë, 71 ishin zyra, 30 ishin shtëpi kulture, 93 ishin biblioteka publike dhe shkollore, 123 ishin objekte shëndetësore, 215 ishin objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe), 5 ishin kisha katolike dhe 88.101 ishin objekte ndihmëse. Atëherë çfarë mund të bëjnë shtetet e botës përballë një tabele me statistika të tilla të zeza? E drejta dhe moralja është që edhe data e nisjes së këtij krimi masiv duhet të caktohet nga OKB-ja përmes një miratimi me shumicë siç ndodhi me Srebrenicën. Por, në të njëjtën kohë duket sikur në disa shtete, specifikisht në Europë, ka një ngërç nga meraku i madh, deri në paturpësi, se Serbia duhet të merret me të mirë dhe jo me të keq. Është pikërisht kjo arsyeja madhore që kuptohet nga të gjithë se përse Aleksandar Vuçiqi kërcënon me trazira, pse jo edhe me luftë, nëse ndërmerret një nismë e tillë për Kosovën. Është një situatë vërtet absurde, kur shtetet kryesore të Europës mund ta marrin për dore dhe ta trajtojnë si një fëmijë të llastuar, kur ai në fakt është një shtet kriminal që ka kryer gjenocid ndaj një popullsie të pafajshme, duke shkaktuar, përsëri në qendër të kontinentit, pak a shumë atë që bënë gjermanët me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ç’duhet bërë?
Sigurisht që shqiptarët nuk duhet të presin vetëm nga Europa dhe bota. Pas 25 vjetësh nga ajo mynxyrë, shteti i Kosovës dhe shteti i Shqipërisë duhet të hartojnë një strategji të përbashkët kombëtare me të dhëna, fakte dhe prova, dëshmi dhe ekspertiza që i vërtetojnë juridikisht të gjitha këto krime. Dikush mund të pyesë përse Shqipëria duhet të përfshihet në këtë strategji? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: së pari shteti shqiptar është shteti amë dhe përgjigjet me kushtetutë për çdo shtetas që banon në Shqipëri, por edhe ata jashtë saj, duke përfshirë edhe qytetarët e shtetit të Kosovës; dhe, së dyti, gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nuk filloi në janar të vitit 1998 dhe përfundoi në qershor të vitit 1999. Ai është një gjenocid më shumë se shekullor dhe e ka pikënisjen e vet që përpara themelimit të shtetit shqiptar. Shqiptarët në tokat dhe shtëpitë e tyre kanë vuajtur në mënyrë të pandërprerë nga Serbia dhe serbët përgjatë shumë e shumë dekadave dhe shekujve. Ajo që ndodhi në vitet 1998 dhe 1999 ishte vetëm pika e vlimit të një gjenocidi që ka zier prej shumë e shumë kohësh. Dhe, provat e mëdha të kësaj shtrirjeje kohore janë që nga platformat, si ajo e vitit 1937 e intelektualit dhe profesorit serb ultras antishqiptar Vaso Çubrilloviq me titullin “Shpërngulja e shqiptarëve”. Mjafton të nxjerrim një pasazh nga ajo platformë për të provuar atë që ka ndodhur në afër një shekull. Kështu shkruante Çubrilloviqi: “Për ne është efektive vetëm shpërngulja masive e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. Për t’u zbatuar një shpërngulje masive, kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme. Kjo mund të bëhet në disa mënyra. Të gjithë e dimë se popullata myslimane në përgjithësi, duke qenë naive, por edhe fanatike, shumë lehtë i nënshtrohet ndikimit, sidomos atij fetar. Me fjalë të tjera, për t’i shpërngulur shqiptarët, në radhë të parë duhet ta bëjmë për vete klerin dhe parinë e tyre që kanë ndikim, qoftë duke u dhënë para, qoftë duke iu kanosur. Sa më parë duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërngulje, e sidomos po qe se vetë Turqia do të pajtohej të na i dërgonte. Detyrë e agjitatorëve ka qenë ta lëvdojnë Turqinë, jetën e atjeshme, të thonë se atje është parajsë, se ky këtu është vend i shkaut, i kryqit, se këtu do të bëhen shkie, do ta humbin fenë. Ata që do të shpërngulen për në Turqi dokumentet e udhëtimit do t’i nxjerrin për një ditë, pa asnjë procedurë, biletat do të jenë me çmime të lira, madje edhe falas, transporti i valixheve deri te stacionet e trenave do të jetë falas”.
Ky është vetëm një pasazh nga ajo platformë e ndyrë që shteti serb për hir të vërtetës e ka zbatuar pikë për pikë. E vërteta është se Serbia i arriti qëllimit të pjesshëm, por po aq e vërtetë është se nuk i arriti qëllimit përfundimtar të asgjësimit të kombit shqiptar, kjo falë vetëmohimit dhe ndjenjës së lartë të ndërgjegjes kombëtare. Por, prova si kjo e Vaso Çubrolliviqit janë me dhjetëra e qindra. Janë vrasjet, shkatërrimet, edhe dëbimet që serbët u kanë bërë shqiptarëve. Madje, edhe ajo që e arriti kulmin më 1998-1999 ishte vazhdimësi e zbatimit të kësaj platforme. Në këtë mënyrë, shteti i Kosovës dhe shteti i Shqipërisë duhet të vendosin në punë të gjitha mekanizmat dhe kapacitetet për ta hartuar një platformë në formë të dokumentuar për t’ia paraqitur më pas Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Vetëm kështu ne do ta kemi në sytë e botës të faktuar atë që ata e bënë në tokën shqiptare dhe ndaj shqiptarëve. Dhe, kjo do të shërbejë që një ditë të afërt në sallën e njohur të OKB-së Asambleja e Kombeve të Bashkuara të miratojë një rezolutë të dytë pas asaj të Srebrenicës. Për ta konsideruar Serbinë për herë të dytë një shtet që ka ushtruar gjenocid shekullor ndaj shqiptarëve. Nëse kjo miratohet, do të ishte një fitore e madhe për kombin tonë, që bota ta njohë edhe zyrtarisht këtë gjenocid. Koha nuk pret. /revistashenja