Ballina Artikuj Ç’është e urryer për agjëruesin?

Ç’është e urryer për agjëruesin?

 Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçi (1923-2013)

Për agjëruesin janë të urryera disa veprime:

1. Të përtypurit e çamçakëzit, era dhe shija e së cilit është harxhuar, dhe që prej tij nuk rrjedh gjë që arrin në brendi-stomak. (2) Megjithëqë nuk arrin gjë në brendi të trupit nga jashtë, për shkak se është e urryer, është rrezik për ta prishur agjërimin duke gëlltitur ndonjë pjesë të tij (të çamçakëzit) dhe se tek ata që e shohin duke mbajtur në gojë dhe përtypur diçka gjatë kohës së agjërimit, lind dyshimi se ai nuk është duke agjëruar. Aliu r.a. ka thënë: “Ndalohuni prej asaj që urren mendja, edhe nëse te ti ka ndonjë arsye.”
Ibni Omeri ka thënë: “Kush e paraqet veten të dyshimtë, të mos e qortojë atë që mendon keq për të (akuzuesin).”
2. Të shijuarit e ushqimit dhe pijeve, pa arritur gjë në brendi, siç është rasti me gruan që shijon gjellën ose ushqimin për fëmijën e saj, pa nevojë, pasi në shtëpi ka dikush që nuk është agjërueshëm me arsye dhe ka mundësi ta shijojë ushqimin e ta përgatitin si duhet. E nëse në shtëpi nuk ka njeri që nuk agjëron dhe gruaja frikësohet prej sjelljeve të këqija të burrit, apo se do ta prishë ushqimin, atëherë asaj i lejohet shijimi i ushqimit, pa kurrfarë vërejtjeje për të. Gjithashtu urrehet shijimi i qumështit ose i prodhimeve të tij gjatë blerjes në treg, nëse ka dikush që nuk është agjërueshëm për ta shijuar ose i besohet shitësit, në të kundërtën nuk është gjë e urryer.
Gjithashtu është e urryer rregullimi i dhëmbëve te stomatologu duke qenë agjërueshëm, për shkak të shijes së ilaçit të përdorur, me kusht që të mos i shkojë diçka nga ilaçi brenda, e nëse i shkon, atëherë agjërimi prishet dhe duhet të bëhet kaza pa kefaret.
3. Puthja e bashkëshortes nga i riu, pastaj përqafimi dhe prekja e vendeve të turpshme, nëse nuk është i sigurt në veprime të mëtejshme (nëse nuk e ka veten nën kontroll).
Transmetohet nga Ebi Hurejre se një njeri e kishte pyetur Pejgamberin a.s. për ledhatimin e gruas duke qenë agjërueshëm, e Pejgamberi a.s. e lejoi atë. Më pastaj erdhi një tjetër dhe i bëri të njëjtën pyetje, e Pejgamberi a.s. e ndaloi. Ai që e lejoi ishte i vjetër në moshë, e ai që e ndaloi, ishte i ri.(3) Imam Maliku, Shafiu dhe Ahmedi e quajnë të urryer puthjen dhe përqafimin e gruas në qoftë se është i sigurt se nuk do të ketë marrëdhënie intime, ndërsa e konsiderojnë haram (të ndaluar) nëse nuk është i sigurt ose është i bindur se një gjë e tillë mund të ndodhë.
Autori thotë: “Mendimi më i këshilluar fetarisht është mendimi i tre imamëve, kurse mendimi (i lartpërmendur) i hanefive është më i lehtë. E nëse ndodh orgazma (hedhja e spermës), gjatë puthjes apo ledhatimit, agjërimi prishet. Ai e vazhdon atë ditë me agjërim për ta kompensuar atë ditë me një ditë tjetër, pa kefaret.
4. Veprimi i asaj që dyshohet se e dobëson njeriun për agjërim, siç është dhënia e gjakut apo hixhamja (nxjerrja e gjakut në kokë, një metodë shërimi). I është thënë Enes bin Malikut: “A e kini urryer hixhamen për agjëruesin gjatë kohës së Pejgamberit a.s.?” Ai tha: “jo, me përjashtim si shkak dobësimi (lodhjeje).”
5. Angazhimi i tepërt i agjëruesit në punë, lojë, ecje etj., veprime të cilat e vështirësojnë agjërimin duke mos qenë të domosdoshme. Ebul Huda ka thënë: “Nuk është mirë që dikush të punojë shumë deri në atë masë sa vështirëson agjërimin. Le të punojë gjysmë dite dhe pjesën tjetër le të pushojë, e nëse thotë se kjo nuk i mjafton, gënjen, qoftë edhe në ditët më të shkurtra të dimrit, siç përmendet në librin “Ed Durru-muhtar”.
Ibën Abidini ka thënë: “Nevojat ndryshojnë, në verë e në dimër, shtrenjtime ose çmime të lira, familje e vogël ose e madhe.” Pastaj vazhdon e thotë se vlen të ceket kjo: “Nëse besimtari posedon mjete materiale që mjaftojnë për të dhe për familjen e tij, nuk i lejohet mos agjërimi, e në të kundërtën i lejohet, duke e ditur se të lypurit (lypësia) prej njerëzve është e ndaluar për të, prandaj mos agjërimi ka përparësi ndaj lypësisë. Përndryshe, ai duhet të punojë aq sa i mjafton një jetë të dinjitetshme, kurse, nëse (puna e rëndë) e shtyn për të prishur agjërimin, atëherë i lejohet derisa të mos gjejë një punë tjetër që nuk e shtyn për të prishur agjërimin.”
Kjo vlen edhe në rastet kur njeriu frikësohet për shkatërrimin e drithërave ose vjedhjen e tyre, duke mos gjetur ndonjërin që punon për të me pagesë reale, që ai ka mundësi ta bëjë. Në këtë rast, i lejohet mos agjërimi, ngase atij i lejohet ndërprerja e namazit për shkaqe edhe më të vogla. Punëtori që angazhohet në punë të rëndë, pa pasur rrugëdalje tjetër për plotësimin e nevojave të tij, për çdo ditë të Ramazanit duhet të zgjohet në mëngjes agjërueshëm dhe të vazhdojë agjërimin deri në çastin kur nuk ka më mundësi (fuqi) për ta vazhduar, dhe patjetër i duhet të punojë. Atëherë ai e prish agjërimin dhe duhet të bëjë kaza ditë për ditë, pa kefaret. Po nuk i lejohet të zgjohet në mëngjes jo agjërueshëm, me arsyetimin së i duhet të punojë. Të ketë drojë dhe frikësohet Allahut ai që u jep fetva njerëzve që punojnë punë të rënda, si në miniera, furra buke dhe të ngjashme me to, duke u thënë se nuk kanë nevojë për t’u zgjuar me nijetin e agjërimit, dhe as obligim të agjërojnë deri në momentin e fundit të urisë, etjes së madhe ose lodhjes, në pikën kur ka frikë për shkatërrim të tyre ose të ndonjë gjymtyre. Kush mund ta dijë, ndoshta punëtori në Ramazan e ndërpret punën e tij në fillim të ditës ose ndoshta do të ketë mundësi për të agjëruar deri në fund të ditës, e pra si t’i lejohet atij mosvendosja për agjërim, kur ai është obligim, duke u mbështetur në paragjykime ose duke dyshuar se do të arrijë në gjendje të rraskapitjes dhe shkatërrimit. Allahu e di më së miri!
6. Tubimi i jargës ose këlbazës në gojë dhe gëlltitja e tyre.
7. Të folurit keq pas kurrizi për të tjerët dhe gënjeshtra gjatë agjërimit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që nuk largohet nga fjalët gënjeshtra dhe veprimi me to, Allahu xh.sh. nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.”(5)

Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçi (1923-2013) (1)

Përktheu: Ekrem Simnica

_______________________
1. Marrë nga libri “Erkanul Islam — Shtyllat e Islamit
2. Dihet se lloje të njohura të çamçakëzëve prishin agjërimin kur i përtyp agjëruesi, sepse ato kanë shije dhe erë, sikurse bombonet kur treten, e në brendi arrin ëmbëlsira, dhe kjo pa dyshim shkakton prishjen e agjërimit.
3 Transmetojnë Ebu Davudi dhe Bejhakiu.
4. Transmeton Buhariu.
5. Transmeton Buhariu.

Exit mobile version