Çerkezët janë një prej minoriteteve që ende jetojnë në Kosovë. Edhe pse në numër jo shumë të madh, ata jetojnë të ndarë në grupe nëpër Kosovë, shumica në vende rurale.
Edhe përkundër faktit që në trevat e Kosovës, çerkezët vijnë në shekullin e 19-të, ata ende jetojnë me kujtimet e historisë së popullit të tyre, duke bërë përpjekje t’i ruajnë dhe kultivojnë zakonet dhe traditat popullore.
Disa nga çerkezët e Kosovës madje si pjesë të kësaj përpjekjeje e kanë ruajtur edhe gjuhën çerkezishte, të cilën e flasin me familjarë për të mos e harruar, si detyrë historike. Por, megjithëkëtë, ata nuk kanë të ruajtur asnjë dokument të shkruar në gjuhën amtare.
Përkatësia e njëjtë fetare me shumicën shqiptare, i bën çerkezët përafërsisht të ngjashëm në shumë zakone e tradita me ta, përfshirë dasmat, ceremonitë mortore, veshjen, por edhe sofra e tyre e cila fillon me çaj, xhem, djathëra e ushqime të përgatitura nga brumi.
“Në Kosovë kanë ardhur rreth 40 mijë çerkezë, apo rreth 6 mijë familje”
Studiuesi dhe historiani Jusuf Osmani, i cili ka botuar një libër studimor mbi historinë e çerkezëve dhe ardhjen e tyre në Kosovë, thotë se pasi Rusia cariste ua ndërron lokacionin çerkezëve duke mos i lënë në vendlindje, ata shpërngulen në treva tjera.
Osmani thotë se çerkezët janë popull autokton me traditë dhe kulturë shumë të lashtë. Një popull i shkathët dhe shumë luftarak që përherë i ka bërë rezistencë Perandorisë Ruse dhe ajo gjithmonë ka pasur synim t’i pushtoj trevat e çerkezëve.
“Ata vendosen në 30 vendbanime të Kosovës. Dhe shumicën i krijojnë vendbanime të reja dhe i pagëzojnë me emra muslimanë çerkezë. Disa prej tyre janë: Stanovcin – Ishanie, Millosheven e sotme – Azizie; disa Hamidie, pastaj Haskëj, Hajrije, Miradije dhe shumë emra që të gjitha i ka ndërruar pushteti serb përveç Hamidisë që ka mbetur”, tha Osmani për AA.
Osmani thotë se nga viti 1877/78, deri në vitin 1912 ku disa treva të Gadishullit Ballkanik pushtohen nga Serbia, Bullgaria, etj., më shumë se 95 për qind e çerkezëve të vendosur në Gadishullin Ballkanik migruan në Turqi. Por, siç thotë ai, disa prej tyre kanë shkuar edhe në Siri e Jordani.
Studiuesi i këtij populli thotë se aktualisht ka qindra çerkezë në Kosovë në qytetin e Gjilanit, Gjakovë, Vushtrri, e Mitrovicë ku disa prej tyre e flasin ende çerkezishtën. Por, ka edhe nga ata që janë shkrirë në popullatë shqiptare.
Mbiemri i Adem Çerkezit tregon mjaft për origjinën e tij
Adem Çerkezi, 78 vjeçari që jeton në Obiliq, kujton se gjyshi i tij për herë të parë nga Çerkezia ka ardhur në Podujevë, në vitin 1864, ndërsa më vonë u vendosën në Obiliq, rreth 10 kilometra larg nga kryeqyteti, Prishtina.
Derisa i ka pasur gjyshërit gjallë, Adem Çerkezi madje thotë se edhe ka folur në çerkezisht, por me kohë, nga mospërdorimi i saj, tani e ngatërron gjuhën e të parëve.
Ai thotë se edhe pse ka kaluar shumë kohë që kur janë larguar nga tokat e tyre, përpiqet ta ruajë identitetin, duke rikujtuar vuajtjet e gjyshërve dhe duke mos harruar të kaluarën e hidhur të popullit nga i cili vjen.
“Kur kanë ardhur prej Toplice (Podujevës), çerkezët kanë ardhur të parët, ka pasur pak shqiptar atëherë këtu (në Obiliq). Ata pastaj i kanë pranuar shumicën e shqiptarëve. Por edhe mburren sot e atë ditë për pritjen që ua kanë bërë çerkezët kur kanë ardhur shqiptarët. Bile këtu në fshatin tonë, kryeplaku u ka thënë fshatarëve që: mos ju bëfshi iftibar (respekt) çerkezëve, qenit të tyre bëju iftibarë, sa na kanë ndihmuar këta neve, s’mund t’ua kthejmë kurrë atë ndihmë”, thotë ai për AA.
Adem Çerkezi i ka falur një djalë lirisë së Kosovës. Biri i tij, Abdullahu, kishte ardhur nga mërgata gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1998/99, për t’ju bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke rënë dëshmor në Koshare. Tani rruga në lagjen ku gjendet shtëpia e tij, mbanë emrin “Abdullah Çerkezi”.
Gjeneratë e re, traditë qindra vjeçare
Nipi i Adem Çerkezit, Abdurrahimi 20 vjeçar, njëjtë sikurse paraardhësit e tij, e ka pasion kalërimin.
Kalin e bardhë për të cilin kujdeset kurdo që ka kohë, e trajton me butësi, duke ja larë edhe këmbët pas kalërimit dhe ledhatuar.
“E kemi pasion, traditë. Madje unë kam marrë pjesë edhe në gara me kuaj ku kam dalë fitues, në vendin e dytë. Me kalin sa herë kam kohë të lirë dal me të për të kalëruar. Pak dhe gjyshi që nga fëmijëria më ka mësuar me kalin, jam rrëzuar shumë herë me të dhe tani më ka mbetur hobi. Si njeriu pa bukë që nuk mund të rrijë, unë nuk rri pa kalë”, thotë njëri ndër pasardhësit më të ri të çerkezëve të Kosovës, Abdurrahimi.
Çerkezët në Kosovë
Çerkezët janë popuj që i takojnë grupit të popujve të Kaukazit Perëndimor nga vend i quajtur dikur Çerkezia. Siç shkruan Jusuf Osmani në librin e tij “Çerkezët në Kosovë”, çerkezët me prejardhje janë arian, por me kohë janë përzier me popuj të tjerë. Veten e quajnë Adige, ndërsa me emrin çerkezë njihen dhe quhen nga të tjerët.
Rusia me ndihmën e disa shteteve të Evropës Perëndimore, më 21 maj 1864 arrijnë që t’i nënshtrojë çerkezët. Kjo datë sot te çerkezët përkujtohet si ditë zie. Nga ushtria ruse në Kaukazin Verior u ushtrua gjenocid ndaj çerkezëve dhe u internuan.
Në Gadishullin Ballkanik, çerkezët kanë ardhur në periudha të ndryshme. Fillimisht ata janë vendosur në trevat e Bullgarisë dhe më pastaj edhe në trevat tjera të Ballkanit. Në territorin e Nishit çerkezët janë vendosur në vitet 1862 dhe 1863.
Çerkezët në Kosovë u vendosën në vitin 1864 e disa edhe më vonë, së bashku me popullatën shqiptare muhaxhire të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877/1878. Ata në Kosovë u vendosën në rreth 30 vendbanime, në numër prej rreth 40.000 persona.
Mirëpo, çerkezë ka pasur në Kosovë edhe gjatë periudhës Osmane siç është rasti me çerkezët e sotëm të Gjakovës.
Çerkezët ishin të pasionuar si binxhi, mbanin kuaj, të cilët i shalonin me mjeshtri e shkathtësi të veçantë, duke bërë akrobacione kalërimi, i mahnitnin popujt fqinj.