Ballina Arritje Teknologji CEO i OpenAI, Sam Altman, shkarkohet nga bordi drejtues i kompanisë

CEO i OpenAI, Sam Altman, shkarkohet nga bordi drejtues i kompanisë

Rrethanat e shkarkimit të Altman mbeten të paqarta ndërsa as kompania as ekzekutivi nuk kanë komentuar zhvillimet e fundit.

OpenAI, kompania pas robotit bashkëbisedues viral AI ChatGPT, njoftoi ditën e Premte se CEO dhe themeluesi i kompanisë, Sam Altman, është shkarkuar, një vendim i cili hyn menjëherë në fuqi.

Përmes një deklarate, kompania tha se një hetim i brendshëm gjeti se Altman nuk ka qenë gjithnjë i sinqertë me bordin drejtues.

“Largimi i z. Altman vjen pas një procesi të thellë vlerësimi nga bordi, i cili arriti në përfundimin se ai nuk ka qenë i sinqertë në komunikimet e tij me bordin duke penguar kështu aftësinë e kësaj trupe për të ushtruar përgjegjësitë që i takojnë,” tha kompania në deklaratën e bërë publike. “Bordi nuk ka më besim tek aftësia e tij për të drejtuar OpenAI.”

OpenAI tha se Mira Murati, shefja e teknologjisë, do të shërbejë si CEO e përkohshme derisa një pasardhës i përhershëm i Altman të përzgjidhet.

Mira Murati, shqiptarja nga qyteti i Vlorës, u bë pjesë e OpenAI në 2018-ën dhe në Maj të 2022 u emërua në pozitën e CTO duke mbikëqyrur operacionet teknologjike të kompanisë.

Lajmi vjen vetëm pak ditë pasi OpenAI mbajti konferencën e parë të zhvilluesve në San Francisco ku Altman shërbeu si drejtues i ceremonive duke prezantuar një seri mjetet të inteligjencës artificiale në mesin e tyre dhe mjete me të cilat zhvilluesit mund të krijojnë versione të përshtatura të ChatGPT.

Ai tha se afro 2 milionë zhvillues përdorin platformën dhe 90 përqind e kompanive Fortune 500 e përdorin së brendshmi. Aktualisht ChatGPT ka 100 milionë përdorues aktivë.

ChatGPT debutoi vitin e kaluar duke e shndërruar Altman në thuajse një person me famë e nga ana tjetër duke nisur një garë të re mes gjigantëve të teknologjisë në inteligjencën artificiale.

Edhe pse ka qenë prej mbështetësve më të ethshëm të AI, ai gjithashtu e ka kritikuar shpeshherë. Ai ishte një prej disa CEO-ve të profilit të lartë në teknologji që u takua me liderët e Shtëpisë së Bardhë përfshirë Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris.

Lëvizja e bordit të drejtuesve të OpenAI është një goditje e madhe ndaj 38-vjeçarit Altman i cili vitin e kaluar u shndërrua në një prej ekzekutivëve më të shquar të teknologjisë.

Një sipërmarrës me përvojë të gjatë, Altman ndihmoi në themelimin e OpenAI me mbështetjen financiare të Elon Musk në 2015-ën. Ai shndërroi një kompani të vogël në San Francisco në një lider teknologjie financuar nga miliarda dollarë të Microsoft dhe frikësuar gjigantët si Google dhe Meta.

Rrethanat e shkarkimit të Altman mbeten të paqarta ndërsa as kompania as ekzekutivi nuk kanë komentuar zhvillimet e fundit.

Aktualisht OpenAI është në bisedime për një raund tjetër investimi që do të dërgonte vlerën e kompanisë në më shumë se 80 miliardë dollarë – pothuajse tre herë më shumë sesa një vit më parë. /PCWorld Albanian

Exit mobile version