Censusi i fundit: Absurditeti i Edi Ramës – për 115 mijë persona kërkon shtet të ri brenda territorit të Shqipërisë

Në fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në muajin shtator, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ishte e gatshme që të transformonte Urdhrin Botëror Bektashi në “një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar” – të ngjashëm me Vatikanin.

Kjo ide e padëgjuar më parë u paralajmërua më herët nga Rama në një intervistë për New York Times, sipas së cilit qëllimi i këtij mikroshteti ishte promovimi i një Islami tolerat.

Kryegjyshi bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj e duartrokiti idenë e Ramës dhe tha përmes një deklarate se ‘shteti i ri” nuk kishte të bënte me politikën, por me udhëheqjen shpirtërore.

“Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative,” thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.

Ideja e Ramës për një “shtet sovran bektashi” u prit megjithatë me rrudhje vetullash dhe vlerësohet nga analistë të politikës si e çuditshme dhe absurde.

“Këtë ide të çuditshme për një vend të tillë që ka të bëjë me tërësinë territoriale të vendit, që kërkon ndryshime të Kushtetutës, ky njeri nuk e konsulton me asnjë shqiptar, por e deklaron nëpër botë, duke shpërfillur jo vetëm ne që na konsideron armiq, por edhe ata shqiptarë që e mbështesin apo janë pjesë e qeverisë së tij,” i tha BIRN publicisti Fatos Lubonja.
“Kjo tregon nivelin e rritjes së autoritarizmit, domethënë të rënies së demokracisë në Shqipëri,” shtoi ai.

Urdhri Botëror Bektashi është një tarikat i Islamit, që e vendosi qendrën e vet në Shqipëri në vitet mes dy Luftërave Botërore. Mes shqiptarëve ata kanë pasur gjithmonë një prezencë të rëndësishme, duke u konsideruar si tarikat islam për nga madhësia dhe pjesë e rëndësishme e shtetformimit dhe Rilindjes Kombëtare. Sipas censusit të fundit, në Shqipëri vetëdeklarohen si bektashi rreth 115 mijë persona ose 4.8 për qind e popullsisë. /shenja