Çeku dorëzon në Prokurori disa kontrata për investime kapitale, të nënshkruara nga ministrat e kaluar

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shqyrtuar raporti i auditimit të performances “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”, ku u tha se nga 100 milionë euro të zotuara, rreth 60 milionë euro janë shpenzuar për investime kapitale arsimore, kulturore dhe sportive.

Për këtë kanë raportuar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.

Çeku tha se për këto investime kanë bërë një skanim të të gjeturave të projekteve kapitale në këtë ministri të nisura nga qeveritë e kaluara dhe nga këto sipas tij ka shkelje të shumta e që i kanë adresuar në Prokurori për vepra penale. Ai theksoi se për një projekt veç kanë nisur hetimet, por nuk bëri të qartë se në cilin nivel janë këto hetime.

“Për disa parregullsi që ka dyshime kemi adresuar në prokurori për vepra penale, dhe çdo herë që hasim në këso lloj shkeljesh gjatë skanimit të gjendjes do të veprojmë kështu”, tha ai.

Një sfidë tjetër sipas tij, është numri i madh i memorandumeve të bashkëpunimit me komunat që janë arritur vite më parë, në të cilat ai tha se kanë mangësi.

Madje, ai para deputetëve bëri të ditur se 34 projekte të nisura për investime do të ndalen për shkak të mos përfshirjes në buxhet.

“Një problem i madh është edhe nënshkrimi i kontratave për projektet kapitale pa mbulesë financiare. 34 projekte aktive të gjitha kanë probleme për mungesë të buxhetit të planifikuar. Sipas të gjitha gjasave ne do të detyrohemi me i anuluar këto projekte”, theksoi Çeku.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Pupovci tha se si e gjetur e auditorit është devijimi i kontratës për ndërtimin e një shkolle në Rahovec që ka paraqitur probleme për financimin e këtij projekti pasi që është rritur kostoja e ndërtimit.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami nga radhët e LDK-së ngriti çështjen e ndërtimit të një shkollës në Gjilan, e cila sipas saj ka nis të ndërtohet para dhjetë viteve dhe nuk ka përfunduar.

Deputetja nga LVV, Jetmire Vrenezi anëtarë e Komisionit tha se ka mangësi të shumta me kontratat që ishin në marrëveshje të memorandumi mirëkuptimit me komunat.

Ajo gjithashtu theksoi se përdorimi i objekteve pa pranim teknik është shqetësuese. vVrenezi ngriti edhe çështjen e tejkalimit të buxhetit në dy projekte në kundërshtim të ligjit për ndarjet buxhetore.

Derisa shtoi se Ministria e Arsimit dhe Kulturës nuk i kanë marrë për bazë rekomandimet e gjetura nga Auditori për keqmenaxhim të financave publike. Edhe anëtari i komisionit,  Hajdar Beqa nga radhët e PDK-së theksoi se shfrytëzimi i objekteve pa pranim teknik paraqet një rrezik të lartë.

Ai ka pyetur raportuesit në këtë Komision për planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të auditorit. Vlera e projekteve ekzistuese arrin 27 milionë euro në Ministrinë e Kulturës.