Çekia premton unitet e bashkëpunim si kryesuese e Këshillit të BE-së

Petr Fiala

Nga korriku, për gjashtë muajt e ardhshëm, Republika Çeke do të jetë kryesuese e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e hyrëse të mërkurën, kryeministri çek, Petr Fiala, premtoi bashkëpunim të ngushtë me vendet anëtare të BE-së. Me NATO-n, tha se do të thellohen bashkëpunimet për sistemin e sigurisë në Evropë.

Fiala deklaroi se në grupin e vlerave të Evropës janë liria e përgjegjësia, që sipas tij, këto të dyja janë të kërcënuara, qëkur nisi pushtimi rus në Ukrainë.

Sipas Fialas, detyrë e BE-së dhe e Presidencës çeke të Këshillit të BE-së, është t’u dalë në ndihmë ukrainasve “që po luftojnë për atdheun dhe për mundësinë për të zgjedhur lirisht të ardhmen e tyre”.

“Pushtimi rus shkaktoi lëvizjen më të madhe të popullsisë në Evropë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ajo gjithashtu tejkaloi valën e migrimit në periudhën 2014-2015. Presidenca çeke do të fokusohet në rehabilitimin e infrastrukturës, ofrimin e shërbimeve bazë, forcimin e qëndrueshmërisë dhe të stabilitetit të përgjithshëm ekonomik”, tha Fiala.

Për Fialan, bashkëpunimi me NATO-n do të jetë hallkë e forcimit të aftësive mbrojtëse në Evropë, e prioritet është zhvillimi i bashkëpunimit afatgjatë në sistemet strategjiko-ushtarake.

“Do të kërkojmë mbështetje buxhetore për rinovimin e armatimeve evropiane. Evropa aktualisht po përballet me shumë sfida, por nëse veprojmë me unitet dhe vendosmëri, do të dalim nga këto kriza më të fortë dhe më elastikë”, tha ai.

Pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë, për Çekinë është shtysë për marrëveshjet tregtare të përfundohen shpejt “dhe të thellohet bashkëpunimi transatlantik brenda Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë, BE-SHBA”.

Në mesazhin e publikuar në sajtin çek, Fiala deklaroi se Evropa është në urgjencë të transformimit të energjisë. Dekarbonizimi, sipas tij, është kush për pavarësinë dhe sigurinë energjetike, ndërsa tha se BE-ja është e angazhuar masivisht në zbatimin e pakos “RePowerEU”, që ka të bëjë me përdorimin e burimeve me emetim të vogël të gazrave.

“Në emër të Republikës Çeke, premtoj se do ta pranojmë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian me krenari, përulësi dhe vendosmëri dhe do ta ushtrojmë atë në interes të të gjithë qytetarëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Fiala.

Muaj më parë, ambasadori çek në Kosovë, Pavel Bilek, pati deklaruar se me Çekinë në krye të Këshillit të BE-së, Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet. /koha