Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Çekia mbështet procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE

Çekia mbështet procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pritur në takim kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pritur në takim kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala, raporton Anadolu.

Fiala dhe delegacioni i tij është pritur nga Vuçiq në Pallatin Presidencial në Beograd.

Në konferencën për media pas takimit, Vuçiq tha se vëllimi tregtar në 12 vitet e fundit është rritur dhjetëfish.

Ai falënderoi për mbështetjen që Çekia i jep vendit të tij në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). “Jam mirënjohës që Çekia nuk shkaktoi kurrë ndonjë problem për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe ishte mirëkuptuese edhe nëse nuk pajtoheshim për disa çështje”, tha presidenti serb.

Duke njoftuar se me Fiala-n kanë biseduar edhe për litiumin, Vuçiq tha: “Të dy vendet kanë burime të litiumit dhe ne diskutuam se çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur mjedisin, për të respektuar rregullat dhe për të përmbushur plotësisht normat e standardit botëror të BE-së”, tha Vuçiq.

Fiala, nga ana tjetër, vuri në dukje se Serbia ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm drejt anëtarësimit në BE dhe se vendi i tij do të mbështesë Serbinë në procesin e anëtarësimit.

Sipas tij, vendet e Ballkanit që dëshirojnë anëtarësim në BE nuk duhet të lihen të presin. “Çekia do të përpiqet të shkurtojë rrugën e Serbisë drejt BE-së sa më shumë që të jetë e mundur dhe ta mbështesë atë që të bëhet një vend anëtar sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Fiala.

Exit mobile version