Çekia, vend me 10.6 milionë banorë, ka dhënë deri më tash mbi 11 milionë vaksina kundër koronavirusit. Mbi 5.7 milionë qytetarë kanë marrë nga dy doza.
Sot, Republika Çeke regjistron mesatarisht 250 të infektuar në ditë.
Në muajt mars dhe prill ka qenë në mesin e vendeve më të prekura në botë, me afro 20,000 të infektuar në ditë.
Epidemiologu Petr Smejkal, nga Instituti i Mjekësisë Klinike dhe Eksperimentale në Çeki, ia atribuon qetësimin e situatës vaksinimit.
Ai thotë se një lloj imuniteti mund të jetë krijuar edhe nga vala e madhe e të infektuarve në dimër, por thekson se numrat varen nga vaksinimi.
Radio Evropa e Lirë: Doktor Smejkal, numri i rasteve ditore me koronavirus në Republikën Çeke ka rënë nga afro 20,000, sa ka qenë në muajt mars dhe prill, në pak qindra javëve të fundit. Si ka ndodhur kjo?
Petr Smejkal: Mendoj se janë dy arsye. E para është vaksinimi i vazhdueshëm, edhe pse fillimi ka qenë i ngadalshëm. Nuk e kemi arritur ende synimin për vaksinimin e 80 për qind të popullatës, por kemi vaksinuar më shumë se gjysmën e qytetarëve me nga dy doza. Nuk mendoj se ky është një sukses i madh, por sigurisht që është i mirë.
Arsyeja e dytë e uljes së numrit të të infektuarve është fakti se ne kemi pasur një valë të madhe infektimesh në shkurt dhe mars. Imuniteti që është krijuar nga kjo valë tragjike, ka gjasa që vazhdon ende. Megjithatë, ne nuk mund të varemi nga kjo. Varemi vetëm nga vaksinimi.
Radio Evropa e Lirë: Si kanë arritur autoritetet të zhvillojnë një fushatë relativisht të suksesshme vaksinimi?
Petr Smejkal: Njerëzit vazhdojnë t’u besojnë vaksinave. Në fillim, fushata e vaksinimit këtu në Çeki ka qenë e ngadalshme. Gjatë asaj periudhe, shumë njerëz e kanë parë se çfarë mund të bëjë virusi. Vala e infektimeve në shkurt dhe mars i ka bindur shumë prej tyre që të vaksinohen, sepse në atë kohë ata kanë pasur përvoja direkte me të sëmurë dhe me viktima.
Vaksinimi pastaj ka marrë hov në fillim të verës, kur njerëzit nuk kanë pasur më nevojë të regjistrohen paraprakisht për vaksina. Autoritetet gjithashtu kanë krijuar ekipe mobile, që kanë shkuar për të vaksinuar njerëz nëpër rrethina dhe fshatra. Pra, më në fund, e kanë kuptuar se ato duhet të arrijnë te njerëzit, e jo vetëm t’iu thonë atyre: ‘kjo është koha dhe data kur duhet të paraqiteni për vaksinë’.
Radio Evropa e Lirë: Thatë se më shumë se gjysma e popullatës tashmë është vaksinuar plotësisht. Me ç’intensitet prisni të vazhdojë vaksinimi?
Petr Smejkal: Mendoj se do të arrijmë shpejt 70-përqindëshin. Kjo më duket reale. Por, unë do të doja t’i shihja 85 për qind të njerëzve të vaksinuar, për shkak të variantit Delta. Kemi të bëjmë me një virus ndryshe tani dhe na duhen shifra më të larta të të vaksinuarve.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se vaksinat janë ende efektive kundër variantit Delta?
Petr Smejkal: Po. Ato janë më pak efektive se kundër variantit të mëparshëm Alfa, por prapëseprapë janë shumë efektive. Dhe, nëse nuk jeni të vaksinuar, ju i ekspozoheni një varianti shumë ngjitës dhe vdekjeprurës.
Radio Evropa e Lirë: Por, edhe nëse jeni të vaksinuar mund të infektoheni…
Petr Smejkal: Po, ju mund të infektoheni, por shumë më pak. Ju mund të sëmureni pak, por nuk do të përfundoni në ventilatorë. Ju do të duhet të vazhdoni të bartni maska, por do të jeni më pak të rrezikshëm për të tjerët.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se njerëzit e vaksinuar me dy doza do të kenë nevojë për dozën e tretë?
Petr Smejkal: Po, një grup që udhëheq unë, e mbështet këtë. Ne mendojmë se njerëzit mbi 60 vjeç dhe njerëzit me imunitet të dobët duhet ta marrin dozën përforcuese. Kjo, sepse disa studime tregojnë se imuniteti nga vaksinimi, për fat të keq, nuk do të zgjasë sa kemi menduar. Është e mundshme që të ndodhë si me gripin: çdo vit merr dozën përforcuese.
Radio Evropa e Lirë: Po fëmijët, a mendoni se duhet të vaksinohen?
Petr Smejkal: Studimet kanë treguar se vaksinat me përbërësin ARNm janë të sigurta për fëmijët 12 vjeç e lart. Tani jemi duke pritur studimet për fëmijë më të vegjël. Por, për 12-vjeçarët e lart janë të sigurta. Shumë adoleshentë në botë mund të përfundojnë me sëmundje të rëndë nga koronavirusi. Pastaj, mund të kenë edhe koronavirus të gjatë, që përfshin probleme me përqendrimin, simptoma neurologjike e të tjera. Kjo është gjithashtu një arsye për t’i vaksinuar fëmijët.
Radio Evropa e Lirë: Si e parashikoni dimrin në Republikën Çeke?
Petr Smejkal: Nuk pres të jetë i rëndë si dimri i kaluar, por kjo nuk do të thotë se do të jetë i lehtë. Mendoj se do të ketë shpërthime lokale të rasteve, të cilat do të menaxhohen nga stacionet higjienike lokale dhe vaksinimi lokal i njerëzve, që nuk janë vaksinuar dhe që janë ekspozuar. Nuk pres të ketë izolime dhe mbyllje të shkollave. /rel