Çeçeni: Protestë në mbështetje të myslimanëve në Birmani

Mijëra njerëz kanë protestuar në rajonin rus të Çeçenisë, në shenjë mbështetjeje për minoritetin mysliman Rohingya në Birmani, e njohur edhe si Mianmar.

Në protestën e sotme, përballë xhamisë çeçene në qytetin Grozni, ka marrë pjesë edhe lideri çeçen, Ramazan Kadyrov dhe zëdhënësi parlamentar rajonal, Magomed Daudov.

Në protestë të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë dhe klerikë myslimanë, të cilët në arabisht dhe në çeçenisht kanë cituar vargje nga Kurani, duke u bërë thirrje myslimanëve për bashkim.

Protesta është transmetuar në televizionin shtetëror në Çeçeni, ku kontrolli i rreptë i Kadyrov-it, liderit çeçen, lejon qeverinë të mbajë protesta të tilla.

Protestuesit kanë brohoritur “Zoti është i madh” ndërsa mbanin pano me fotografi të komunitetit Rohingya, të marra nga internet.

Afro 90,000 myslimanë Rohoingya kanë ikur nga dhuna në këtë vend, për të gjetur strehim në Bangladesh./Mesazhi/