Çdo votë do të numërohet dhe asnjë prej tyre nuk do të shkojë dëm. Kjo është porosia dhe premtimi që Bashkimi Evropian ua ka bërë qytetarëve të Kosovës në prag të zgjedhjeve të 11 qershorit. Zyra e BE-së në Prishtinë në këtë kontekst u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, pasi vetëm kështu do të ruhet demokracia në vend.
Ndërkohë, ashtu sikur ambasadat e QUINT-it, edhe BE-ja ua ka tërhequr vërejtjen partive politike që të sigurohen se kanë propozuar kandidatët më të përshtatshëm për të qenë pjesë e Kuvendit. Ata thonë se në shumë prej vendeve të BE-së personat të cilët janë dënuar për “Krime të rënda” nuk do të bënin pjesë fare në listat për deputetë.
“Zyra e BE-së në Kosovë u ka bërë thirrje që të sigurohen se kanë propozuar kandidatë të përshtatshëm për pozitën e lartë që ata do të mbajnë. Kosova meriton përfaqësues të pozitës dhe të autoritetit të lartë moral. Në shumë prej vendeve tona individët të cilët janë dënuar për ‘Krime të rënda’ përjashtohen automatikisht nga pjesëmarrja në zgjedhje”, thuhet në përgjigjen që kjo Zyrë ia ka dhënë gazetës “Zëri”.