Ballina Lajmet Maqedoni Çdo muaj nga dy punëtorë humbin jetën në Maqedoni

Çdo muaj nga dy punëtorë humbin jetën në Maqedoni

Së paku nga dy punëtorë në muaj vdesin në vendet e punës në Maqedoni, nga mosrespektimi i standardeve për siguri në vendin e punës.

Sipas raportit vjetor të Shoqatës për Siguri dhe Shëndet në Vendin e Punës, në vitin 2017 ka pasur 158 fatkeqësi në vendet e punës, nga të cilat 24 kanë qenë me pasoja fatale.

Kryetari i kësaj shoqate Millan Petkovski, tha se përderisa nuk ka përgjegjësi individuale për mosrespektimin e masave të sigurisë nga punëdhënësit, nuk do të kemi ndryshim të situatës, shkruan tv21.tv.

“Nëse për punëdhënësin do të kishte pasoja, atëherë ai do të vinte në një situatë për të respektuar ligjin në atë nivel, saqë do të bëhej kulturë parandaluese. Nëse mendimet për pasojat nuk i sjellim në nivelin e përgjegjësisë individuale, atëherë do të vazhdojmë të kemi ende këso improvizime, kur punëdhënësit e shumtë kompensimin për aksidentet në vendin e punës e përkthejnë në euro. Duhet të ketë përgjegjësi individuale”, tha Petkovski.

Profesoresha universitare Jasmina Çallovska, ka sjellë studentët e saj për të mësuar për rëndësinë e respektimit të sigurisë në vendin e punës.

Sipas saj, ngritja e vetëdijes për këtë çështje duhet të fillojë nga shkolla fillore e deri në fillimin e praktikës.

Profesoresha mendon se të rinjtë janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për rrezikun e mosrespektimit të masave të sigurisë në punë, ndërsa sipas saj shkeljet më të mëdha i bëjnë kompanitë private.

“Unë mendoj se zhvillimi i vetëdijes për rëndësinë e sigurisë në vend të punës është tashmë në një nivel të lartë dhe se të rinjtë janë të vetëdijshëm se çka do të thotë siguri në vend të punës. Gjithçka që bëhet në fushën e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës bëhet vetëm për të kënaqur detyrimet ligjore. Ajo që do të thotë siguri dhe shëndet gjatë punës, do të thotë plotësim të kushteve elementare për siguri në punë, por në aspekt të pasjes së punëtorëve të sigurt dhe të shëndetshëm”, tha Çallovska.

Sipas raportit vjetor të Shoqatës për Siguri dhe Shëndet Gjatë Punës, në krahasim me vitin 2016, vitin e kaluar ka pasur më shumë aksidente në vend të punës dhe më shumë vdekje.

Rastet e fatkeqësive kanë ndodhur më shumë në Shkup dhe Kumanovë, kurse rastet ku për pasojë kanë humbur jetën më shumë kanë ndodhur në amvisëri bujqësi dhe ndërtimtari.

Exit mobile version