Çdo brez ka “diktatorët” e tij

Diktatorët e çdo brezi duhen rrëzuar dhe thyer. Në çdo shoqëri do të lindin diktatorë ashtu siç edhe do të vdesin. Por, kriza tek njerëzit dhe shoqëria ndodh atëherë kur ato nuk i njohin diktatorët e kohës së tyre.

Ndoshta në një epokë apo kohë ato janë vizivë dhe në një kohë tjetër mund të jenë ideologjikë apo mund të jenë të dy bashkë që ndërtojnë njëri-tjetrin. Shoqëritë dhe individët që kanë aftësi kuptuese arrijnë ti shohin shfaqjet apo simptomat diktatoriale të kohës së tyre. Në të kundërt, nëse nuk i kuptojmë ato, do të jetojmë nën sundimin e diktaturës ideologjike, shpirtërore apo vizive dhe nuk do të ndjejmë asgjë.

Më vjen ndërmend një thënie e imam Ebu Hamid El-Gazalit, ku thotë: “Njerëzit jan në gjumë, kur vdesin zgjohen.”

Kjo shprehje më çon në një analizë largëpamëse, se ne zgjohemi kur rrëzohemi. Kur të arrijmë të rrëzojmë diktatorët e kohës tonë do të zgjohemi dhe ky zgjim mund të konsiderohet si rizgjimi i një populli.

Ndërsa Mit’hat Frashëri thotë: “Një popull që rrëzohet me këmbët e veta s’ka të drejtë të ankohet.”

Dhe kjo është situata më e vështirë. Kur ne i ndërtojmë vetë diktatorët tanë, i nderojmë ato dhe pa e kuptuar biem, rrëzohemi, shtypemi me veten tonë dhe nga vetja jonë.

Vladimir Kera