Çavuşoğlu: Solidariteti me Afrikën, më i nevojshëm se kurrë më parë

Solidariteti me Afrikën është më i nevojshëm se kurrë më parë, pasi bota po lufton me koronavirusin e ri, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, me rastin e Ditës së Afrikës, përvjetorin e themelimit të Bashkimit Afrikan, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kushtet e papara të shkaktuara nga pandemia COVID-19 në gjithë botën e bëjnë solidaritetin e simbolizuar nga Dita e Afrikës edhe më të rëndësishëm këtë vit”, tha Çavuşoğlu në artikullin me titull “Solidariteti me Afrikën, më i rëndësishëm se kurrë më parë”, i cili u publikua në disa media të kontinentit me rastin e Ditës së Afrikës.

“Progresi i arritur vitet e fundit nga Afrika në shumë fusha dhe partneriteti ynë në zhvillim me kontinentin na mundësojnë ta shohim të ardhmen me shpresë, pavarësisht se ekzistojnë sfida të mëdha”, tha Çavuşoğlu.

“Së bashku me institucionet tona publike, organizatat joqeveritare dhe sektorin privat, ne i kemi dhënë përparësi zhvillimit të bashkëpunimit tonë me kontinentin afrikan”, shtoi ai.

Dita e Afrikës është përkujtim vjetor i 25 majit 1963, ditës kur u themelua Bashkimi Afrikan.

Turqia synon të “forcojë më tej marrëdhëniet me Afrikën në bazë të botëkuptimit ‘fito-fito’ dhe respektit të ndërsjellë”, tha shefi i diplomacisë turke.

Çavuşoğlu theksoi gjithashtu vendosmërinë e Turqisë për t’i çuar marrëdhëniet me Afrikën në nivelin më të lartë të mundshëm.

Numri i ambasadave turke në Afrikë është rritur në 42 nga 12 sa ishte në vitin 2002, tha ai, duke shtuar se në mënyrë të ngjashme, numri i ambasadave afrikane në Ankara është rritur në 36 nga dhjetë nga fillimi i vitit 2008.

“Vëllimi i tregtisë sonë dypalëshe është rritur gjashtëfish në 18 vitet e fundit”, vuri në dukje ai.

Samiti i tretë i partneritetit Afrikë-Turqi

“Interesi i Turqisë për Afrikën dhe ndjenjat e miqësisë së popullit turk ndaj kontinentit afrikan, me të cilin Turqia ka lidhje historike dhe njerëzore, nuk janë të reja”, tha Çavuşoğlu.

“Me faktin se vendi ynë është bërë partner strategjik i Bashkimit Afrikan dhe me Samitin e parë të Partneritetit Afrikë-Turqi në vitin 2008 të mbajtur në Stamboll, Turqia dhe vendet afrikane kanë përcaktuar qartë vullnetin e tyre të ndërsjellë për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre në një fazë më të përparuar”, tha ai.

Turqia dëshiron të mbajë Samitin e Tretë të Partneritetit Afrikë-Turqi sa më shpejt të jetë e mundur, tha kryediplomati i Turqisë.

“Në tetor të vitit 2020, ne gjithashtu po planifikojmë të zhvillojmë Forumin e tretë të Ekonomsë dhe Biznesit Turqi-Afrikë, të cilin e mbajtëm në Stamboll më 2016 dhe 2018 dhe i cili arriti rezultate të suksesshme”, shtoi ai.

Lidhur me koronavirusin e ri, Çavuşoğlu tha: “Vendet afrikane kanë ndërmarrë masat e nevojshme në kohën e duhur falë përvojës së tyre në luftën kundër sëmundjeve epidemike”

“Numri i rasteve dhe vdekjeve në kontinent është aktualisht relativisht i ulët. Ne sinqerisht shpresojmë se kjo do të vazhdojë dhe se sëmundja do të zhduket nga kontinenti”, tha ai.

Ministri turk ka shkruar se duke qenë në gjendje të sigurojë ndihmë për pajisje për disa vende që në muajt e parë të pandemisë, Turqia synon të rrisë kapacitetin e saj të ndihmës në periudhën e ardhshme.

“Si vendi që ka shtrirë dorën e ndihmës për numrin më të madh të vendeve pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, Turqia po përpiqet t’u përgjigjet sa më shpejt të jetë e mundur kërkesave të tilla nga vendet tona miqësore afrikane”, theksoi Çavuşoğlu.

Bota pas koronavirusit “duhet të jetë një botë që kërkon më shumë bashkëpunim ndërkombëtar sesa më parë dhe jo më pak”, tha ai.

“Unë sinqerisht besoj se Afrika do të kontribuojë jo vetëm në mirëqenien e popullit të vet, por edhe në rendin botëror të viteve në vazhdim, dhe se partneriteti turko-afrikan do të tregohet si një shembull në rendin e ri botëror pas pandemisë, në të cilin solidariteti do të bëhet më i rëndësishëm”, ka shkruar Çavuşoğlu në artikullin e tij.