Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Çavusoglu: ShBA duhet të braktisë politikën e gabuar në Siri

Çavusoglu: ShBA duhet të braktisë politikën e gabuar në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) kritikoi qëndrimin e administratës së presidentit amerikan Joe Biden, i cili i dërgoi një letër Kongresit për të zgjatur me një vit urgjencën kombëtare në Siri.

“Pikësëpari kjo letër është një letër e llojit Copy-Paste. Këto fjali dhe paragrafë administrata amerikane i ka përdorur edhe më parë. Në fakt Administrata amerikane duke i dërguar letër Kongresit po mashtron publikun amerikan dhe po deformon realitetet e rajonit,” tha kreu i diplomacisë turke në një konferencë shtypi të përbashkët me ministrin e Jashtëm venezuelas Felix Plasencia në Ankara të shtunën.

Dhe arsyeja e kësaj,- vijoi Çavushollu,- është se ShBA-ja bashkëpunon me YPG-në (derivati sirian i PKK-së), ndërkohë që PKK-në e pranon si organizatë terroriste.

ShBA-ja po i jep një mbështetje serioze kësaj organizate, nënvizoi Çavushollu, duke shtuar se kjo (furnizimi me armë i terroristëve të YPG-së) shkel ligjin amerikan.

“Ne e dimë shumë mirë qe qëllimi i prezencës së tyre (amerikanëve) këtu nuk është të luftojnë militantët e organizatës terroriste DAESH. Ne kemi qenë ata që luftuam me DAESH-in. Ushtria e vetme brenda NATO-s dhe në botë që po lufton me të vërtetë trup me trup me DAESH-in në Siri është ushtria jonë”,- tha ministri turk.

Duke iu referuar bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe talibanëve lidhur me angazhimin me Talibanin për të penguar fuqizimin e DAESH-it në Afganistan ministri i Jashtëm turk shtroi pyetjen: “Po mirë, kush i transferoi këta terroristë [të DAESH-it] nga Siria në Afganistan?”.

“E çfarë na thonë, që ‘YPG-ja luftoi kundër DAESH-it’. Këta terroristë fillimisht ata i transportuan me autobusë nga disa qytete siriane, dhe më pas i çuan ata me aeroplan në Afganistan”,- shtoi Çavushollu.

“Të gjitha politikat e Amerikës nuk janë të planifikuara dhe nuk bazohen në një vizion të qartë për të ardhmen dhe efektet e kësaj vihen re në Afganistan, Irak dhe Siri”,- tha Çavushollu dhe shtoi: “Amerika mbështet një organizatë separatiste, terroriste që punon për copëtimin e Sirisë. Në vend që të fajësojë Turqinë, ShBA fillimisht duhet të braktisë politikën e saj të gabuar [në Siri]”. /trt

Exit mobile version