Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Çavuşoğlu për situatën në Afganistan: Do të veprojmë së bashku me komunitetin...

Çavuşoğlu për situatën në Afganistan: Do të veprojmë së bashku me komunitetin ndërkombëtar

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me njohjen e qeverisë që do formohet në Afganistan tha se “Duhet të shikojmë nëse do të formohet apo jo me të vërtetë një qeveri gjithëpërfshirëse. Do të veprojmë së bashku me komunitetin ndërkombëtar”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me situatën në Afganistan para konferencës së përbashkët për media që mbajti dje presidenti Recep Tayyip Erdoğan me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed.

Në fjalën e tij Çavuşoğlu bëri të ditur se janë përpjekur që të komunikojnë një për një nëpërmjet telefonit me shtetasit turq në Afganistan dhe se ashtu sikurse në periudhën e pandemisë nëpërmjet qendrës së koordinimit dhe mbështetjes janë përpjekur të evakuojnë në vend shtetasit që kanë kërkuar.

“Ka shtetas që thonë ‘dua të largohem‘. Ata që kërkojnë evakuim shkojnë në aeroport. Me punonjësit e Ministrisë së Jashtme dhe ushtarët tanë atje sigurojmë evakuimin e shtetasve tanë në Turqi. Në Afganistan ndodhen pak a shumë 1.500 shtetas turq. Nuk dëshirojnë të gjithë të kthehen, ndryshon shifra për ata që duan të kthehen. Po ashtu ndihmojmë edhe në evakuimin e vendeve të tjera. Ka shumë vende që aplikojnë te ne. Shpreh falënderimet për ushtarët tanë nga pikëpamja e rolit të Turqisë atje”, deklaroi Çavuşoğlu duke tërhequr vëmendjen se ka edhe shtetas turq që dëshirojnë të qëndrojnë në Afganistan.

Pas pyetjes se “si sigurohet kontakti me talebanët, a bëhet fjalë për bisedime me përfaqësuesit e talebanëve?”, Çavuşoğlu tha se ftuan në Turqi krahun politik të talebanëve para hyrjes në Kabul.

Më tej duke rikujtuar se presidenti Erdoğan në një program televiziv ka thënë se mund të bisedohet me përfaqësues të talebanëve, Çavuşoğlu dha informacionin se “Kemi kontakte nga kanale të ndryshme. Kemi kontakte si nga Kabuli, ashtu edhe nëpërmjet Doha-s dhe duhet të ketë. Aktualisht komisioni që përfshin edhe Dr. Abdullah, Hekmetyar dhe ish-presidentin Karzai ka filluar bisedimet për formimin e qeverisë. Prioritetet kryesore këto janë”.

Në pyetjen lidhur me mendimin për përpjekjet për formimin e qeverisë në Afganistan dhe për çështjen e njohjes së qeverisë që do të formohet, Çavuşoğlu vuri në dukje se është e nevojshme që në fillim të shikojnë se si do të formohet qeveria.

Ai tërhoqi vëmendjen se kanë biseduar me të gjitha vendet në mënyrë që të jenë të njëjta qëndrimet dhe mesazhet që do të jepen për këtë çështje.

“Thonë se do të formojnë qeveri gjithëpërfshirëse. Duhet të shikojmë nëse do të formohet apo jo me të vërtetë një qeveri gjithëpërfshirëse. Do të veprojmë së bashku me komunitetin ndërkombëtar. Do të koordinohen si hapat që do të ndërmarrim ashtu edhe mesazhet që do të japim. Të premten do të ketë një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s. Duhet koordinim bashkë me komunitetin ndërkombëtar dhe duhet të veprojmë të gjithë së bashku. Nuk do të ishte e drejtë që tani të jepet një vendim përpara”, potencoi Çavuşoğlu. /aa

Exit mobile version