Kryediplomati turk mbajti të martën një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili ndodhej në kryeqytetin Ankara të vendit për një vizitë pune.
“Në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ketë ulje-ngritje, tensione, miqësi, këto janë gjëra të natyrshme. Fatkeqësisht, situata në të cilën ndodhet Greqia, është e mjerueshme. Megjithatë ata janë shumë të suksesshëm në një gjë. Ata kanë sukses të madh dhe dinë të qajnë bukur teksa shpjegojnë se sa të drejtë kanë edhe kur nuk kanë aspak të drejtë. Pastaj vijnë të përqafojnë ballë për ballë dhe sapo të kthejnë shpinën, vjellin vrer e urrejtje, gënjejnë e shpifin. Këto janë gjëra që nuk u kanë hije politikanëve dhe vendeve.
Greqia le t’u përgjigjet si burrë letrave tona. Le të thotë se nuk e cenon statusin e ishujve të çmilitarizuar. Nëse nuk i jep fund shkeljeve, ne tashmë e kemi nisur debatin për sovranitetin e ishujve dhe sovraniteti i këtyre ishujve do të jetë objekt diskutimi”, theksoi Çavusoglu.
Më tej, duke përmendur marrëdhëniet historike ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Çavusoglu tha se vlerat e përbashkëta, historia e rrënjosur dhe lidhjet njerëzore janë baza e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Shefi i diplomacisë turke risolli në kujtesë se më 26 gusht do të festojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe shtoi se me homologun Osmani do të bëjnë deklaratë të përbashkët me rastin kësaj dite të shënuar.
Ai tha se do të vizitojë Maqedoninë e Veriut më 16 qershor për të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog, aktivitet që do të mbahet për herë të dytë këtë vit, duke shtuar se në takimin e sotëm kanë trajtuar me të gjitha dimensionet marrëdhëniet mes dy vendeve.
Çavusoglu u ndal gjithashtu mbi bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Marrëdhëniet tona ekonomike janë në nivel të kënaqshëm, por jemi dakord që ende duhet të zhvillohen. Vëllimi i tregtisë sonë dypalëshe vitin e kaluar tregoi një rritje prej rreth 42% dhe arriti në 772 milionë dollarë. Ne po i shohim të dhënat e këtij viti, do të jenë rreth 900 milionë dollarë. Prandaj jemi dakord që jo më vonë se vitin e ardhshëm ta rrisim në 1 miliard dollarë, por besojmë se në 5 vitet e ardhshme mund të arrijmë në një vëllim tregtar prej 2 miliardë dollarësh. Për këtë, ne po rishikojmë marrëveshjen e tregtisë së lirë”, saktësoi ministri turk i Punëve të Jashtme.
Ai tha se do të vazhdojnë së bashku të inkurajojnë që kompanitë turke të investojnë më shumë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se kanë rënë dakord për mbajtjen e një forumi biznesi në Stamboll këtë vit.
Mevlut Çavusoglu theksoi se kompanitë turke në Maqedoninë e Veriut nuk kanë rritur vetëm investimet e tyre, por se kanë marrë përsipër edhe projekte të rëndësishme, duke shtuar se investimet e këtyre kompanive në vend kanë arritur në 1,3 miliardë dollarë.
Pasi shprehu dëshirën për bashkëpunim mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e energjisë, ministri Çavusoglu vuri në pah vendimet e njëanshme të marra nga Rusia pas luftës në Ukrainë dhe sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Moskës.
“Nga vendet e Ballkanit, vendet tona fqinje, Bullgaria dhe Rumania, si dhe Hungaria, kemi marrë kërkesa për bashkëpunim në fushën e energjisë. Sot folëm edhe se si mund të bashkëpunojmë me Maqedoninë e Veriut në këtë kontekst dhe si mund të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve të vendeve miqësore. Ne duam të zhvillojmë bashkëpunimin tonë me Maqedoninë e Veriut në lidhje me energjinë”, potencoi ai.
Mes të tjerash, Çavusoglu theksoi gjithashtu se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka realizuar projekte shumë të rëndësishme zhvillimore në çdo rajon të Maqedonisë së Veriut pa asnjë diskriminim. /trt