Çavuşoğlu: Kundërshtojmë komentet rreth Ajasofjes që intervenojnë në të drejtën e sovranitetit të Turqisë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, theksoi se kundërshtojnë fuqimisht komentet rreth vendimit për hapjen e Ajasofjes si xhami, që janë të natyrës intervenuese në të drejtën e sovranitetit të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu iu përgjigj pyetjeve rreth rendit të ditës në një program të drejtëpërdrejtë në kanalin TRT Haber.

Ai tha se hapja e Ajasofjes për falje të namazit është një vendim ligjërisht i qëlluar, duke shtuar se Ajasofja pas çlirimit të Stambollit në vitin 1453 ishte i popullit turk dhe është regjistruar në vakëf si xhami.

“Xhamia Ajasofja në vitin 1462 është regjistruar në vakëf si xhami dhe duhet të përdoret si xhami. Mund të ketë opinione rreth kësaj të natyrës ‘duhej të hapej, nuk duhej të hapej, do të ishte më mirë të mos hapej’. Edhe pse nuk jemi dakord me mendimin e të gjithëve, e respektojmë atë. Por komentet të cilat janë të natyrës së intervenimit ndaj të drejtave të sovranitetit të Turqisë, fuqimisht i kundërshtojmë”, u shpreh ai.

Ndryshe, më 10 korrik, me një vendim historik, gjykata e lartë administrative e Turqisë anuloi vendimin e Kabinetit të Ministrave të vitit 1934, me të cilin Ajasofja ishte shndërruar në muze, ndërsa më pas, me një vendim presidencial, objekti iu dorëzua Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë.

Konflikti mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Kryediplomati turk komentoi edhe rreth konfliktit të armatosur mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke dënuar sulmin kufitar vdekjeprurës nga forcat armene mbi trupat azerbajxhanase.

Ai theksoi se Armenia deri më tani ka dështuar t’i afrohet ndonjë zgjidhjeje.

“Nuk është e pranueshme atë që e ka bërë Armenia. Le të mbledh mendjen. Azerbajxhani nuk është i vetëm. Ne si Republikë e Turqisë dhe populli turk jemi pranë Azerbajxhanit me të gjitha mundësitë tona”, theksoi ai.

Dje, në kufirin ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, ka shpërthyer një konflikt i armatosur i cili ka shkaktuar humbje të jetëve nga të dyja palët.