Bashkimi Evropian ka kohë që ka humbur kredibilitetin e tij në çështjen e Qipros, deklaroi dje ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
“Kur qipriotët turq mbështetën një plan për ishullin të hartuar në vitin 2004 nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, qipriotët grekë e refuzuan atë. BE-ja dështoi të mbajë premtimet e saj për Qipron Turke por shpërbleu grekët qipriotë me anëtarësimin në bllok”, tha Çavuşoğlu.
“Kjo shkaktoi rënien e kredibilitetit të BE-së për këtë çështje”, theksoi Çavuşoğlu para gazetarëve në qytetin e Antalyas në bregdetin mesdhetar të Turqisë.
Vizita në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) të martën nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, ishte për të shënuar 20 korrikun, përvjetorin e 47-të të operacionit paqësor të Turqisë në vitin 1974 në Qipro për mbrojtjen e qipriotëve turq nga dhuna si dhe Ditën e Paqes dhe Lirisë së TRNC, shtoi ai.
Duke nënvizuar lidhjet e posaçme midis dy vendeve, Çavuşoğlu tha: “Ne, si vendi mëmë dhe garantues (për Qipron), përmbushim përgjegjësitë tona pa hezitim për të mbrojtur të drejtat e TRNC-së për rezervat e hidrokarbureve dhe Mesdheun Lindor”.
Ai tha se negociatat për çështjen e Qipros kanë zgjatur për 53 vjet pa ndonjë rezultat. Shefi i diplomacisë turke akuzoi grekët qipriotë për prishjen e bisedimeve çdo herë.
“Në këtë sfond, grekët qipriotë janë shpërblyer ndërsa turqit qipriotë u ndëshkuan”, tha Çavuşoğlu.
Qiproja ka qenë e zhytur në një mosmarrëveshje disa dekadashe të gjatë midis qipriotëve grekë dhe qipriotëve turq, pavarësisht përpjekjeve të shumta diplomatike të OKB-së për arritjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.
Ishulli është ndarë që nga viti 1964, kur sulmet etnike detyruan qipriotët turq të tërhiqen në enklava për sigurinë e tyre. Në vitin 1974, një grusht shteti grek qipriot që synonte aneksimin nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë si një fuqi garantuese.
TRNC u themelua në vitin 1983.
Administrata qipriote greke hyri në BE në vitin 2004, të njëjtin vit kur grekët qipriotë hodhën poshtë planin e kreut të OKB-së, Annan, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes disa dekadashe. /aa