Lorik Cana mund të rikthehet te Lazio.
Skuadra e Lazios ka probleme me lëndimin e mbrojtësve në këtë fillim të sezonit. Sipas mediave italiane, emri i Canës është në listën e përforcimeve të mundshëm në këtë pikë të sezonit, mes lojtarëve që janë pa ekip.
Dëmtimet e njëpasnjëshme të Wallace, Dusan Basta, Bastos dhe Stefan de Vrij detyrojnë Lazion të bëjë ndërhyrje sa më të shpejta, pasi ekipi luan çdo tre-katër ditë për shkak të angazhimeve në Europë.
Sipas “Il Messaggero”, Igli Tare ka që tani para syve një listë me futbollistë që mund t’i bëjnë punë në këtë pjesë të parë të sezonit, derisa të fillojë afati kalimtar i janarit. Cristian Zaccardo, Bacary Sagna, Joleon Lescott dhe Sébastien Bassong janë disa nga emrat që qarkullojnë në klub, ashtu si edhe ai i Lorik Canës.
Ky i fundit ka më shumë se një vit që nuk shkel në fushat e lojës dhe në Itali e shohin pak të mundshëm një kthim të tijin në futbollin aktiv. Megjithatë, emri i Canës vazhdon të diskutohet si alternativë në klubin ku ai ka luajtur nga viti 2011, deri në vitin 2015.