Ballina Autorë Opinione Çallma e Hoxhës

Çallma e Hoxhës

Hoxhë Justinian Topulli

Çallma apo turbani siç e quajnë disa, është ajo copë zakonisht e bardhë që mbështillet rreth festes, takijes apo kokës dhe që shërben si mbulim dhe zbukurim për të. Ajo është pjesë e kulturës dhe traditës jo vetëm arabe, por edhe popujve të tjerë. Ajo ka qenë pjesë edhe veshjes së të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (alejhi salatu ue selam).
Në disa kultura copa e gjatë e çallmës ka shërbyer edhe si qefin për atë që vritej në luftë. Pikërisht nga kjo praktikë disa e kanë quajtur atë edhe si qefin mbi kokë. Edhe pse ky është një kuptim simbolik që i japin çallmës disa njerëz, ai është mjaft domethënës.
Në fakt të jesh hoxhë duhet ta kesh të qartë që në mos çallmën si qefin fizik e simbolik, gatishmërinë për të vdekur për besimin dhe misionin që mbart, duhet ta kesh prezent gjatë gjithë kohës, në mendje dhe në zemër.
Misioni i çdo hoxhe është misioni i Profetit (alejhi salatu ue selam) i cili kur e joshën por edhe kërcënuan të braktiste misionin e tij tha: “Pasha Allahun, sikur diellin të ma vinin në të djathtën time dhe hënën në të majtën time, që ta braktisja këtë çështje, nuk do ta braktisja derisa ajo të ngadhënjejë ose të vdesë në të.”
Kush vendos “çallmën” e hoxhës mbi kokë duhet të dijë se ajo duhet të jetë edhe “qefini” i tij, ku para së gjithash i duhet të qefinos me të dëshirën për rehati dhe konformizëm, si dhe frikën për të mos thënë të drejtën dhe të vërtetën. Misioni i profetëve nuk trashëgohet me njerëz të trembur dhe ata që i druhen sprovave, qoftë kjo edhe më e skajshmja, siç është vdekja.

Nga: Justinian Topulli

Exit mobile version