Themelimi dhe njohja e “Shteti Bektashi” mund të merret si shembull dhe justifikim për sovranitete të tjera të dëmshme për shqiptarët. Ne ndodhemi në një situatë të kontesteve të Kosovës me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Por, gjithashtu, edhe Greqia, e njohur për kurthe dhe komplote, duke pasur ndikim dhe mbajtur në kontroll grupacione të caktuara në jugun e Shqipërisë, mund ta shfrytëzojë Shtetin Bektashi si precedent për interesat e saj, duke inskenuar dhe paraqitur një rast të ngjashëm ose të përafërt me atë.
Arben LABËNISHTI, Strugë
Kanë kaluar më shumë se tre dekada nga rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe fillimi i proceseve drejt demokracisë nëpërmjet reformash, ndryshimesh dhe transformimesh në sferën politike, ekonomike, shoqërore, ushtarake, të sigurisë, arsimore, kulturore dhe atë fetare të vendit. Shteti totalitar u përmbys në vitin 1991, por punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, anëtarëve të Byrosë Politike dhe sekretarëve të Partisë, të privilegjuarve të tjerë të regjimit, fëmijëve të të gjithë këtyre, dhe asaj pjese të popullit të indoktrinuar thellë me ateizmin dhe prapësi të tjera, nuk iu shkul mentaliteti dhe uni i mbrujtur në qenien e tyre për rreth pesëdhjetë vjet të veprimtarisë në diktaturë. Një pjesë e madhe e kësaj kategorie vazhduan të jenë aktivë dhe të organizuar për qëllimet e tyre në jetën politike, ekonomike dhe socio-kulturore të vendit.
Karakteristikë esenciale e mentalitetit postdiktator mbeti intriga dhe dallaverja, e cila shfrytëzoi çfarëdo rruge që mund ta çonte te ruajtja e pushtetit, te marrja e pushtetit, te kapitali, te fama dhe luksi, pavarësisht nëse ajo ishte e pamoralshme, e pandershme, në kundërshtim me ligjin, e dëmshme për familjen, për kombin, për shtetin dhe nëse i shërbente agjendave të huaja. Ky shtrat mentaliteti u tregua pjellor jo vetëm për mbirjen dhe rritjen e veseve të dëmshme që i kultivonin vetë shqiptarët, por edhe i përshtatshëm që qendra politike dhe ideologjike të huaja të mbjellin vënien në varësi dhe në diktatin e tyre të shumë figurave në mesin e politikanëve, gazetarëve, artistëve, analistëve, sipërmarrësve biznesor, OJQ-ve etj., për t’i realizuar interesat e tyre. Gjithë kjo, në rrafshin politik, atë të resurseve natyrore të vendit, atë ekonomik, atë socialo-kulturor dhe atë fetar, ishte dhe vazhdon të jetë me pasoja të rënda për kombin dhe shtetin shqiptar. Në këtë kuptim, nuk mund të thuhet që ishin thjesht budallallëk shqiptar dhe të rastësishme, në veçanti firmat piramidale, vënia në krye të Kishës Ortodokse e një prifti grek, kërkesa nga personalitete të jetës publike shqiptare për kthimin masiv në Krishterim, ngjarjet e vitit 1997, kultivimi masiv i narkotikëve, kufiri i ujërave detarë me Greqinë, “Ballkani i Hapur”, grupi i Deçanit me pagëzimet dhe ideja për “Shteti Bektashi”, e cila para pak kohësh iu shtua këtyre veprave antishqiptare.
Shpalosja e idesë së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “Shteti Bektashi”, në faqen kryesore të gazetës prestigjioze “New York Times” dhe konfirmimi i saj nga ai në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, flet për rëndësinë dhe interesin që kanë për ato qendra politike dhe ideologjike jashtë Shqipërisë, pavarësisht nëse ata që janë të interesuar për këto agjenda e kanë sugjeruar dhe pritur këtë ose e kanë kapur për ta shfrytëzuar në momentin e bërjes publike nga kryeministri, si interes i tyre. Në të dyja mundësitë, qoftë në atë të imponuar ose në atë të idesë së vetë Ramës, për t’u shpërfaqur në vizionin dhe raportet me këto qendra, si një mbështetës dhe luftëtar jo i rendit të ushtarit, por i ideatorit dhe protagonistit, ai zotohet se do ta jetësojë atë në realitet brenda territorit të shtetit shqiptar. Kjo ide është e dëmshme, sepse e provokon dhe e mbart në vete ngarkesën e cenimit të harmonisë ndërfetare, e cila përbën një nga shtyllat thelbësore të ruajtjes së kohezionit kombëtar, atë të fyerjes dhe poshtërimit të muslimanëve shqiptarë, përgatitjes së një shtrati më të përshtatshëm për mbjelljen e kulturës perëndimore neoliberale, e cila e dobëson idenditetin kulturor, për rrjedhojë edhe atë kombëtar, dhe ngarkesën e krijimit të precedentëve për shtete të kësaj natyre dhe sovraniteteve të tjera në dëm të Kosovës, por edhe të vetë Republikës së Shqipërisë.
I dëmshëm për harmoninë ndërfetare
Sado që ka pasur çmenduri dhe shtrëngata shumëdekadëshe për shfarosjen e besimit metafizik në interes së ideologjive botëkuptimore anti-Zot dhe disa shqiptarëve u është kërkuar, janë joshur e hutuar për braktisjen e fesë islame në emër të përparimit të kombit (shqiptarisë), shqiptarët në pjesën dërmuese të tyre, edhe në ditët e sotme, jo vetëm që vazhdojnë të jenë të lidhur me tre fetë tradicionale që i kishin të mishëruara si idenditete fetare në periudhën e ngjizjes së kombit, por, si atëherë, në shumicën e tyre janë muslimanë, në mesin e të cilëve ata që i përkasin tarikati bektashi përfshijnë një numër relativisht të vogël. Besimtarët e të tre feve abrahamike mes shqiptarëve nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë problem të mirëkuptohen dhe ta ruajnë harmoninë ndërfetare të admirueshme dhe së bashku të jenë lidhur fort pas kombit si domosdoshmëri për ta ndërtuar dhe ruajtur shtetin, nëpërmjet të të cilit ruhet dhe lartësohet dinjiteti i individit dhe i kombit në tërësi. Besnikëria për bashkëjetesën e harmonishme mes këtyre religjioneve, së bashku me ruajtjen e gjuhës, është besnikëri ndaj unitetit kombëtar, për rrjedhojë edhe e unitetit të shtetit. Prishja me mekanizma, nga më të ndryshmit, të ekuilibrit që e ruan harmoninë ndërfetare dhe raportin e tre feve me kombin dhe shtetin, që natyrshëm e ka vënë vetë zhvillimi i kombit shqiptar nga ngjizja e tij e deri te krijimi i shtetit, është krim vetëvrasës. Në këtë mëkat ra edhe shkrimtari i ndjerë Ismail Kadare dhe ateistë të tjerë, të cilët kërkonin braktisjen masive të Islamit dhe përqafimin e Katolicizmit. Po në këtë rrafsh, por me një mekanizëm tjetër, atë të “Shteti Bektashi”, Edi Rama po e thellon këtë mëkat dhe kjo është serioze, sepse Kadareja ishte shkrimtari më i njohur, ndërsa Rama është kryeministri aktual i vendit, kryetar i njërës nga dy partitë më të mëdha në Republikën e Shqipërisë dhe person me lidhje të fuqishme jashtë vendit. Ideja me “shtet”, me përdorimin e tarikatit bektashi, në radhë të parë e dëmton Islamin burimor, me të cilin ai ka disa mospikëpjekje, por besoj se e provokon edhe Ortodoksinë dhe Katolicizmin shqiptar.
E pakuptimtë dhe e papranueshme është që, në vështrimin doktrinor dhe historik, bektashizmi si tarikat brenda Islamit të proklamohet si fe, sepse nuk e plotëson asnjë nga këto kritere. Kur jemi te kjo çështje, është shumë domethënëse të thuhet se i pari që e ka kërkuar dhe është përpjekur për ta hapur rrugën e legalizimit të tarikatit bektashi si fe më vete, edhe pse nuk ia arriti atëherë, është prifti grek Anastas Janullatos, i cili nëpërmjet shqiptarëve e ka uzurpuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Për një prift të arsimuar në shkolla teologjike dhe të rangut të tij, është non sens të mendosh se i mungon njohuria për këto përcaktime elementare. Kjo është e mjaftueshme për ta kuptuar se përpjekja e Jenullatosit për ta prezantuar bektashizmin si një fe më vete, fe të katërt të shqiptarëve, në takimin e krerëve të feve monoteiste abrahamike të organizuar në Stamboll, në vitin 1993, është e motivuar nga qëllime dashakeqëse, përçarëse për shqiptarët dhe përfituese për antishqiptarët dhe antiislamistët. Pas 30 vitesh, idenë e Anastas Janullatosit po e vazhdon Edi Rama ose, nëpërmjet tij, po e tjerrin më mirë qarqe të caktuara politike dhe ideologjike me qendër jashtë Shqipërisë. Të gjithë ata që pretendojnë se shqiptarët i kanë katër besime fetare, që nënkupton se bektashizmi është fe më vete, si edhe arsyetimet e Ramës dhe mbështetësve të kësaj ideje të tij, që i sjellin si argument vlerat dhe kontributin e madh të këtij tarikati, i cili i tejkaluaka të tjerët, në ndërgjegjësimin dhe kontributin për kombit dhe krijimin e shtetit; se krijimi i këtij shteti islamik të moderuar paska edhe mesazhin “Mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë muslimanët”, sepse ky shtet sovran “do ta lejojë alkoolin, do t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe nuk do të vendosin rregulla të stilit të jetës”; se kjo ide e kryeministrit “…është një gjetje atdhetare, sepse bën një përpjekje për ta ridimensionuar imazhin tonë dhe për të gjetur rrënjët e vërteta europiane.(…); se bektashizmi gjithnjë është quajtur si kriptokristianizëm, si një besim që mbulon konfliktin fetar, si një mundësi për të shmangur fundamentalizmin”, janë fyese dhe poshtërim, pa asnjë të drejtë, ndaj shqiptarëve muslimanë dhe fesë islame. Ky helm është përçapje e shëmtuar e çoroditjes ateiste, e padevotshmërisë folklorike të krishterë dhe e çmendurisë së synimeve gllabëruese neoliberale.
Realiteti shqiptar i bektashinjëve nuk shpërfaq asnjë nevojë për të pasur një shtet të tyre. Në këtë rast bektashinjtë janë vëzhgues të befasuar, besimin e të cilëve dikush po e përdor për interesa që bien në kundërshtim me ato të shqiptarëve. Kur flitet për shtet sovran, “Shteti Bektashi”, sigurisht, që do të pretendojë për ta pasur të drejtën për t’i përfaqësuar, për t’u kujdesur dhe t’i mbrojtur me mënyrën e tij jo vetëm bektashinjtë shqiptarë, por edhe ata të vendeve të tjera. Ai do të hyjë në marrëdhënie diplomatike me shtetet të cilat do ta kërkojnë ose do të jenë të gatshme ta bëjnë atë. Ato do të ketë mundësi dhe të drejtën të lidhin marrëdhënie ushtarake, të sigurisë dhe të llojeve të tjera me shtete që ai dhe ata e shohin me interes. Por, këto marrëveshje ose disa nga ato, mund të jenë në kundërshtim dhe të dëmshme për shqiptarët e tjerë dhe kështu të provokohen kundërthënie ndërshqiptare me pasoja të rënda për kombin dhe shtetin.
“Dëmto shqiptarët në interes të perëndimizmit (neoliberalizmit)!”
Paraardhësit tanë, ilirët, ishin paganë. Ilirët që e quajtën veten arbër ishin të krishterë, ndërsa arbërit në trevat e tyre autoktone, që e quajtën veten shqiptarë diku nga shekulli i XVIII, në pjesën më të madhe të tyre ishin muslimanë dhe pjesa tjetër ortodoksë dhe katolikë, ashtu si janë edhe në ditët e sotme. Sigurisht, identiteti kombëtar shqiptar është produkt i ardhur si rezultati i rrethanave dhe ndryshimeve historike dhe kulturore në të cilat kaluan arbërit. Nga braktisja e paganizmit nga stërgjyshërit tanë dhe pranimi masiv i Krishterimit, si shpallje e Zotit, nëpërmjet të dërguarit Isa (Jezui), dhe më pas përqafimit masiv të Islamit, si rezultat i shpalljes përfundimtare të përmbledhur në Kuran, nëpërmjet të dërguarit Muhammed, kemi një zinxhir të zhvillimit religjioz progresist në përputhshmëri me kronologjinë e shpalljeve nga Zoti, për përsosmëri shpirtërore e perspektivë në oganizimin socialo-kulturor të tyre. Pas dëmit të shkaktuar nga çmenduria e diktaturës komuniste, e cila indoktrinoi jo pak shqiptarë me ateizmin, shqiptarët filluan të përballen me kulturën perëndimore neoliberale, me të cilën idenditeti jonë kulturor nuk ka asnjë pikëpjekje. Pas tre dekadash përballje me atë, në mesin tonë gjen të përvijohet edhe një mendësi, si produkt i ndërthurjes së mentalitetit të trashëguar nga diktatura komuniste me kulturën perëndimore neoliberale, dhe ngulitje të këtij “perëndimizmi” në jo pak shqiptarë të lindur dhe të rritur në periudhën që e quajmë tranzicion deri në ditët e sotme. Të gjitha këto bien në kundërshtim dhe janë në dëm të kulturës dhe moralit tonë të përcaktuar dhe të trashëguar me shekuj, ndërsa e arrijnë masën e potencialit të rrezikut të dobësimit të idenditetit tonë kulturor dhe, për pasojë, edhe atij kombëtar.
Sipas Bernard Lewes, i cili përpiqet që “vlerat perëndimore” t’i mësohen Lindjes, “Europa është një ide europiane, që u konceptua në Greqi, u kultivua në Romë dhe tani, pas një fëmijërie dhe adoleshence të gjatë e të trazuar në krishterim, po i afrohet pjekurisë në një bashkësi laike, mbikombëtare”. Kjo, “bashkësia laike” e Lewes-it, karakterizohet nga qytetërimi perëndimor i ditëve të sotme, në esencë të të cilit qëndron neoliberalizmi, i cili e ka tjetërsuar dhe zhbërë në masë të madhe intelektualitetin e krishterë në Europë. Islami ka mbetur “sistem imunitar” më efikasitet më të madh, në nivel global, por edhe në Shqipëri, që të mbron nga neoliberalizmi dhe globalizmi, prandaj ata po bëjnë përpjekje për ta ngushtuar Islamin deri në masën e pandikueshmërisë kulturore dhe shoqërore, si domosdoshmëri që ato të zënë terren dhe të fitojnë rëndësi kulturore dhe shoqërore në organizimin e jetës. Për ta arritur këtë, duhet të realizohet prishja dhe shkëputja sa më e madhe nga devotshmëria e besimit, zbehja e intelektualitetit fetar islam dhe krijimi i një ambienti ku urrehet kleriku. Në këtë plan, “Shteti Bektashi” jo vetëm që nuk përbën një barrierë që të mbron nga neoliberalizmi, por mund të kontribuojë në interes të tij.
Precedent për sovranitete të tjera
Themelimi dhe njohja e “Shteti Bektashi” mund të merret si shembull dhe justifikim për sovranitete të tjera të dëmshme për shqiptarët. Ne ndodhemi në një situatë të kontesteve të Kosovës me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Por, gjithashtu, edhe Greqia, e njohur për kurthe dhe komplote, duke pasur ndikim dhe mbajtur në kontroll grupacione të caktuara në jugun e Shqipërisë, mund ta shfrytëzojë Shtetin Bektashi si precedent për interesat e saj, duke inskenuar dhe paraqitur një rast të ngjashëm ose të përafërt me atë. Kështu kjo ide e kryeministrit Rama jo vetëm që nuk u kontribuon kontesteve me Serbinë në interes të Kosovës, por edhe mund t’i shkojë për interesi dhe t’ia hapë rrugën Greqisë për kërkesa të çmendura antishqiptare, për të cilat vetë historia dëshmon se ajo është e prirë.
Përfundim
E parë nga këndvështrimet e mësipërme, ideja për “Shteti Bektashi”, pavarësisht nëse çallma është e tëra në kokën e kryeministrit Rama ose vetëm njëra anë e çallmës është e lidhur në kokën e tij, ndërsa ana tjetër kushedi se ku, implikon drejtpërdrejt interesat e shqiptarëve, por pa mençurinë politike, intelektuale dhe devotshmërinë për kombin dhe shtetin. Ideja, kontributi dhe mirëpritja që japin disa njerëz për këso lloj veprash, të cilat i mbështesin dhe përpiqen t’i arsyetojnë edhe me rëndësinë që gjoja paskan për “sigurinë e vendit dhe mirëqenien e qytetarit”, është vetëm një farsë vetëshkatërruese. Nga këto vepra është “Shteti Bektashi”, nëse nga ide do të gjendet rrugë për ta bërë realitet. /shenja