Cakaj pas takimit me Hotin: Biseduam për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohje reciproke

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj është takuar sot me kryeministrin Avdullah Hoti, ndërsa e ka quajtur takim fort të vyer, ku ndër të tjera kanë biseduar edhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Cakaj në një postim në Facebook shkruan se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

Lexoni të plotë postimin:

Një takim fort i vyer me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti 🇦🇱🇽🇰!

Biseduam mbi rëndësinë e patjetërsueshme të qasjes së bashkërenduar, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Shprehëm shqetësimin e thellë lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ne do të vazhdojmë të punojmë pakursyer për për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

Ndamë të njëjtën pikëpamje se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.