Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj është takuar sot me kryeministrin Avdullah Hoti, ndërsa e ka quajtur takim fort të vyer, ku ndër të tjera kanë biseduar edhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Cakaj në një postim në Facebook shkruan se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.
Lexoni të plotë postimin:
Një takim fort i vyer me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti 🇦🇱🇽🇰!
Biseduam mbi rëndësinë e patjetërsueshme të qasjes së bashkërenduar, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Shprehëm shqetësimin e thellë lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ne do të vazhdojmë të punojmë pakursyer për për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.
Ndamë të njëjtën pikëpamje se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.