Çad, epidemia e kolerës shkakton vdekjen e 120 personave

Epidemia e kolerës që ka përfshirë Çadin ka marrë jetën e 120 personave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë përmes një deklarate me shkrim ka njoftuar se 120 persona kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë e cila ditët e fundit ka përfshirë rajonet Salamat, Sila dhe Ouaddai në lindje të vendit.

Ekziston rreziku që epidemia të përhapet edhe në rajone të tjera, teksa këtë javë në vend janë regjistruar mbi 500 raste të kolerës, thuhet më tej në deklaratën e ministrisë.

Po ashtu, në deklaratë bëhet e ditur se qeveria ka organizuar tryezë krize për intervenim efikas lidhur me epideminë.

Ndryshe, tre mijë persona humbën jetën në epideminë e kolerës që përfshiu pjesën jugore të Çadit në vitin 2011.