Byrek me patëllxhanë dhe djathë

PËRBËRËSIT: 1 pako petë të gatsjme, 4-5 patëllxhanë, 1 spec jeshil, 1 spec i kuq, 2 qepë mesatare, 1 kokërr domate, 1 tufë majdanoz, 4-5 lugë vaj ulliri, 1 limon i shtrydhur, 2 kokrra vezë, 200 g djathë, vaj, kripë dhe piper.

PËRGATITJA: Fillimisht pastrojmë patëllxhanët nga lëkura dhe i kalojmë në rende. Më pas i vendosim patëllxhanët e grirë në një tas spërkatur me pak kripë dhe lëng limoni dhe i lëmë që të lëshojnë lëngun e tyre përreth 30 minuta. Ndërkohë në një tigan me bazë të gjerë kaurdisim qepët e grira me vaj ulliri, sapo qepa të bëhet transparente shtojmë specat e grira dhe i kaurdisim bashkë për 2 minuta. Më pas shtojmë gjysmë gote me ujë të ngrohtë dhe i lëme të zjejnë për 3-4 minuta sa të zbuten. Shtojmë më pas domaten e grirë në rende dhe pak vaj ulliri dhe e lemë salcën dhe për 5 minuta të tjera në zjarr. Vendosim patëllxhanët në një kullesë për të larguar lëngun që kanë lëshuar dhe më pas i shtojmë tek salca e përgatitur. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe e lemë mbushjen e byrekut të gatuhet për 7-8 minuta në zjarr mesatar duke e trazuar herë pas here. Në fund fare shtojmë majdanozin e grirë hollë, e largojmë tiganin nga zjarri dhe e lemë të ftohet plotësisht.

Pasi masa e përgatitur për mbushjen e byrekut të jetë ftohur, shtojmë vezët e rrahura mirë bashkë me djathin e thërrmuar. Lyejmë një tepsi mirë me vaj ulliri dhe shtrojmë tre petat e para duke u hedhur secilës nga pak vaj ulliri. Më pas shtrojmë pjesën e parë të mbushjes. Vijojmë me shtrimin e dy petave të tjera, mbushje, petë, mbushje, petë. E vendosim byrekun të piqet në furrë në temperaturën 180 gradë për 25-30 minuta.

Kjo recetë u përgatit nga Gatime shqiptare