I ramë për shkurt darkës sot me një byrek të shpejtë, kuptohet me petë të gatshme.
Bëhet gati për 10 minuta dhe të nxjerr nga situata qoftë kur të ka shkuar mendja për byrek apo kur të vijnë miq e do t’i kënaqësh pa u lodhur shumë.
Përbërësit (për një tepsi me diameter 30 cm): petë të gatshme (jo te pjekura) – duhen 9 fije petë, gjysmë kg gjizë djathi pa kripë, 1 gotë kos, pak vaj ulliri, 1 lugë çaji kripë, 3 kokrra vezë 1 gotë ujë i gazuar (250 ml).
Përgatitja : Për mbushjen ose gjellën e byrekut përziejmë mirë gjizën, kripën, kosin. Lyejmë tepsinë me vaj. Shtrojmë 3 petë dhe sipër hedhim gjysmën e mbushjes. Më pas shtrojmë 3 petë të tjera dhe vendosim pjesën e mbetur të mbushjes, e shtrojmë me lugë dhe e mbulojmë me 3 petë. E presim byrekun në copa. Përziejmë vezët me pirun, shtojmë dhe ujin e gazuar tek vezët dhe ia hedhim përsipër byrekut. E lëmë 10 minuta që të depertojë përzierja e vezëve nëpër petë dhe pastaj e futim në furrë të ngrohur. E pjekim 30-40 minuta në 200 gradë ose derisa të ketë marre ngjyrë të kuqërremtë përsipër.
Kjo recetë u përgatit nga Si_shijon