Perberesit: 600 g miell, 1 lugë çaji sheqer, 1 lugë çaji kripë, 2lugë gjelle vaj ulliri, ½ – 1 filxhan ujë, 5 kokrra qepë mesatare, 2 kokrra domate te mëdha dhe 200 g djathë të bardhë.
PËRGATITJA: Në fillim përgatisim mbushjen duke filluar nga pastrimi i qepëve, të cilat i grijmë dhe i skuqim me pak gjalpë, vaj ulliri dhe kripë. Kur qepa fillon të zbutet pak shtojmë domatet të cilave u kemi hequr lëkurën dhe i kemi prerë në kubikë. U shtojmë piper dhe pasi ulim temperaturën i lëmë të ziejnë derisa të shterojë lëngu i tepërt i domates dhe të dalë yndyra në sipërfaqe. Pas këtij hapi e lëmë masë të ftohet që ta përdorim te byreku. Ndërkohë që mbushja ftohet përgatisim brumin. Në një enë të thelle përziejmë mirë miellin me sheqerin, kripën, vajin e ullirit dhe ujin (i cili duhet të jetë në temperaturë ambienti). E punojmë mirë derisa të përftojmë një brumë të butë. E lëmë të pushojë për 15 minuta para se ta ndajmë në 20 topa të vegjël me madhësi të njëjtë.
Fillojmë i hapim 5 të parat një nga një me ndihmën e një peci/okllai. Lyejmë sipërfaqen e secilës prej tyre me vaj ulliri dhe i vendosim sipër njëra tjetrës. I hapim përsëri derisa të formojmë një petë të vetme të madhe të cilën e shtrojmë në fundin e tepsisë të cilën e kemi lyer më parë me vaj. Mbi petë hedhim një pjesë të përzierjes me qepë dhe domate dhe vazhdojmë me të njëjtën procedurë duke hapur petët e tjera dhe duke shpërndarë nëpër to mbushjen (4 shtresa me petë dhe 3 shtresa me qepë dhe domate). Në fund i bashkojmë anët me kujdes dhe e pjekim në furrë të parangrohur 200°C për 45 – 50 minuta ose sa të marrë një ngjyrë kafe të lehtë në sipërfaqe. Ju bëftë mirë!
Kjo recetë u përgatit nga Rozafa Cooking