Buxheti ‘çan’ koalicionin

Partnerët e koalicionit nuk po pajtohen për miratimin e Projektligjit për Buxhetin e Vitit 2017, për shkak të pakënaqësive për ndarjen e “kuletës” së shtetit. Kjo ka rritur gjasat që buxheti të jetë shkas për prishjen e koalicionit mes dy partnerëve dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Pas dërgimit të Projektligjit në Kuvend, komisionet parlamentare ende nuk kanë arritur ta shqyrtojnë atë, pasi po dështojnë mbledhjet për shkak të bojkotit që po ia bën Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Vetëm në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka dështuar katër herë shqyrtimi i Projektligjit për Buxhetin e Vitit 2017, si pasojë e mungesës së kuorumit. Mosdakordimi i partnerëve të koalicionit për buxhetin e vitit 2017 po shihet si joserioze, duke ditur se Projektligji për Buxhetin është vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit që nxjerr brenda vitit.

Arton Demahasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë për “Zërin” se do të ishte shumë e natyrshme që të ketë mospajtime mes pozitës dhe opozitës, por e panatyrshme dhe aspak e mirë që ato të jenë brenda vetë koalicionit qeverisës.