Një bust 3 mijë vjeçar i Tutankhamunit që Egjipti pretendon se është vjedhur, është shitur për 6 milionë dollarë në një ankand. Më herët, Egjipti i kishte kërkuar shtëpisë së ankandeve ‘Kristis’ të anulonte shitjen e reliktit që përshkruan mbretin e lashtë Tutankhamun. Ministria e Jashtme e Egjiptit thotë se busti ka shumë gjasa të jetë vjedhur nga një tempull egjiptian gjatë viteve 1970.
Kristis në anën tjetër thotë se Egjipti nuk ka shfaqur shqetësime për bustin në të shkuarën, pavarësisht se ai ishte ekspozuar publikisht. Busti prej bronzi, 28 cm i lartë, vjen nga një koleksion privat i artit të lashtë që Kristis e kish shitur në 2016.
Në një deklaratë të shtëpisë së ankandeve thuhet: Objekti nuk është dhe as nuk ka qenë subjekt i ndonjë hetimi. Kristis sidoqoftë tha se nuk do të nxirrte kurrë në shitje një objekt për të cilin ka shqetësime për legjitimitetin. Madje Kristis kishte publikuar edhe një kronologji të pronarëve të reliktit për 50 vitet e shkuara. Busti mësohet se ishte blerë nga aristokrati gjerman, Princi Vilhelm von Thurn mes viteve 1973 dhe 1974. Për zyrtarët egjiptian ai ka dalë nga vendi pas vitit 1970, sepse në atë kohë edhe artefakte të tjera ishin vjedhur nga tempulli Karnak. Vendi nxorri ligje të reja në 1983 që ndalonin daljen e artefakteve nga Egjipti. Tutankhamun ka vdekur 3 mijë vite më parë në moshën 19 vjeçare. Varri i tij u zbulua në 1922.
Top Channel