Ballina Kulturë Feja Burri që lexoi 1 mijë herë Kuranin për 20 vjet

Burri që lexoi 1 mijë herë Kuranin për 20 vjet

Djali i tij Metini tregon: “Pasi babai ndërroi jetë, hapa Kur’anin për ta lexuar. Ndërmjet faqeve të Kur’anin gjeta një fletë me shënime. E kapa fletën dhe pashë që babai gjatë 20 viteve i kishte shënuar të gjitha hatimet (leximi i plotë i Kur’anit në Arabisht) një nga një. U çudita. Do të thotë që çdo ditë pas çdo namazi ka lexuar rreth 100 faqe Kur’an. Gjithashtu babai para 5 vitesh i bëri vetë dërrasat e varrit. E varrosëm më dërrasat që bëri vetë. Allahu e bëftë prej banorëve të Xhennetit.”

Burimi i lajmit: yenisafak.com

1000 lexime të Kur’anit për 20 vjet do të thotë 50 në vit, 4 në muaj, 1 në javë ose rreth 90 faqe në ditë. Fletën me shënime të të moshuarit e keni në komente.

Tani të përmendim pak vlerën e madhe të leximit të Kur’anit:

Allahu (xhel-leshanuhu) në Kur’an thotë:

“O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.”

Surja Junus, 57.

“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.”

Surja Isra, 82.

“Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë.Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.”

Surja Fatir, 29:30.

Profeti alejhi selam ka thënë:

“Shembulli i besimtarit që lexon Kuran, është si shembulli i portokallit. Shijen e ka të mirë edhe erën e ka të mirë. Shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin, është si shembulli i hurmës. Ajo shijen e ka të mirë, por nuk ka erë. Ndërsa munafiku që lexon Kuran është si shembulli i borzilokut. Erën e ka të mirë, por shijen e ka të keqe. Kurse munafiku që nuk lexon Kuran, është si puna e kungullit të egër. Erën e ka të keqe edhe shijen e ka të keqe”.

Buhariu: 5020 dhe Muslimi: 797.

“Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve.”

Buhariu: 67/9/68 Tirmidhiu: 11/32, Ebu Davudi: 1439.

“Ai i cili e lexon Kur’anin pa gabime (me shkathtësi), ai do të arrij gradën e melaikeve të pastra dhe të nderuara. Ndërsa, ai i cili e lexon Kur’anin me vështirësi, ai i ka dy shpërblime.”

Buhariu: 8/691, Muslimi: 6/84, Ebu Davudi: 1441, Tirmidhiu: 12/29.

“Më të vërtetë ai i cili e lexon një shkronjë nga Kur’ani atij i takon një e mirë, kurse një e mirë shpërblehet me dhjetëfish. Nuk them se Elif Lam Mim është një shkronjë, por Elifi është një shkronjë, Lami është një shkronjë dhe Mimi është një shkronjë.”

(Për shembull kur lexon fjalën All-llah që është 5 shkronja fiton 50 sevape)

Tirmidhiu: 11/34.

“Mes jush po lë dy gjëra me peshë. Njërën prej tyre Librin e Allahut, që është litari i Allahut. Ai që e pason, do të jetë i udhëzuar, kurse ai që e braktis, do të mbetet në humbje.”

Muslimi: 4/1873, 2408.

“Lexojeni Kuranin, se ai do të vijë në Ditën e Gjykimit e do të ndërmjetësojë për lexuesit e vet.“

Muslimi: 1/552, 804, Musned imam Ahmed: 5/249.

“Transmetohet nga Bera ibn Azibi, se një njeri ishte duke lexuar suren Kehf dhe erdhën retë dhe e mbuluan atë dhe filluan t’i afrohen shumë. Kali i tij, që ishte i lidhur, filloi të ikte sa më shumë që afroheshin retë. I treguan për këtë ndodhi Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, e ai tha se ato ishin melaike që kishin zbritur nga qielli për dëgjimin e Kuranit.”

Buhariu: 11 dhe Muslimi: 240.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë:

“Në shtëpinë që lexohet Libri i Allahut (Kurani) shtohet mirësia, prezantojnë engjëjt dhe dalin shejtanët prej saj, kurse shtëpia, në të cilën nuk lexohet Libri i Allahut, u ngushtohet banorëve të saj, pakësohen mirësitë, prezantojnë shejtanët dhe dalin engjëjt prej saj.”

Ez Zuhd, Ibn Mubarek, 1/273, 790.

Abdullah Ibn Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë: “Kush prej jush dëshiron ta dijë se a e don Allahun, atëherë le t’ia ekspozojë vetes Kur’anin (le ta shikoj se a e don Kur’anin), dhe nëse e do Kur’anin ai e don Allahun, sepse Kur’ani është fjala e Allahut.”

Allahu atë e bëftë prej banorëve të Xhennetit Firdeus dhe na bëftë edhe ne nga ata që e lexojnë Kur’anin vazhdimisht.

Allahu na bëftë nga ata që i merr pranë Tij ndërkohë që janë duke lexuar dhe jetuar librin e Tij..

Përgatiti: Islami, Mëshirë dhe Dashuri

Exit mobile version