Neonazisti gjerman Stephan E. u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Walter Lübckes, president rajonal në Hesse, në 2019. Procesi ngriti pikëpyetje për aftësinë e autoriteteve gjermane për të ndjekur ekstremistët.
47-vjeçari neonazist Stephan E. u gjet të enjten fajtor për vrasjen e presidentit të rajonit Walter Lübcke. Me këtë përfundoi procesi i parë gjyqësor i Gjermanisë për një vrasje politike që nga vitet 1970. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Gjykatësi Thomas Sagebiel gjithashtu pranoi “rrethanat rënduese” të fajit të Stephan E., gjë e cila do të zgjasë kohën që neonazisti duhet të kalojë në burg para se të konsiderohet i lirë.
Për një dënim të përjetshëm në Gjermani, minimumi është 15 vjet, por në rrethana të tilla Stephan E. nuk ka gjasa të diskutohet për ta liruar me kusht për të paktën 22 vjet.
Duke shprehur simpati me familjen e Lübckes, e cila ishte e pranishëm në proces si bashkëpaditëse, gjykatësi tha se ai e pranoi se procesi gjyqësor kishte qenë “i vështirë dhe i dhimbshëm” për ta. Por ai shtoi,se”kjo nuk ndryshoi asgjë në lidhje me detyrën tonë, e cila ishte gjithashtu e vështirë.”
Vrasja e Walter Lübckes tërhoqi sërish vëmendjen në potencialin e dhunshëm të skenës neonaziste të Gjermanisë dhe te pamundësia e shërbimit të fshehtë për të mbajtur nën kontroll ekstremistët e dhunshëm – pavarësisht pagimit të disa informatorëve në këtë skenë.
Lübcke mbrojti refugjatët
Lübcke ishte bërë një figurë e urryer për ekstremin e djathtë, pas një fjalimi që mbajti në vitin 2015, ku mbrojti vendimin për të pranuar refugjatë nga lufta në Siri. Por, siç u ankua familja e presidentit të rajonit të Kasselit gjatë fjalës që mbajti si bashkëpaditëse, ai kishte mbetur i pambrojtur nga shërbimet e fshehta gjermane. Atë e vranë në hyrjen e shtëpisë së tij në qershor 2019.
Bashkëpunëtori i akuzuar për armëmbajtje pa leje
I akuzuari si bashkëpunëtori i Stephan E., Markus H., një tjetër neonazist i njohur, u lirua nga akuza për ndihmë në vrasje, megjithëse u dënua për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Stephan E. kishte dëshmuar se Markus H., ishte i pranishëm në skenën e vrasjes dhe kishte bërë vërejtje me sarkazëm ndaj viktimës, para se E. të hapte zjarr për vdekje kundër tij.
Por edhe pse prokuroria dhe familja e Lübckes e konsideruan të vërtetë këtë version të ngjarjeve, dëshmia e të pandehurit është dëmtuar nga tregime kontradiktore të vrasjes që ai dha më parë në gjyq dhe në arrestimin e tij. Në një moment, ai me sa duket u nxit nga një avokat i mëparshëm i mbrojtjes për të dëshmuar se Markus H. kishte tërhequr këmbëzën në një përleshje me Lübcken.
Stephan E. u lirua nga akuza për vrasje të mbetur në tentativë kundër refugjatit irakian Ahmed I. në një incident në janar 2016, kur Ahmed I. u godit me thikë në shpinë nga një sulmues i panjohur, jashtë strehës së refugjatëve ku ai jetonte.
Neonazisti, i cili jetonte në atë zonë dhe kishte një histori sulmesh të dhunshme ndaj njerëzve me origjinë arabe dhe turke, ishte marrë në pyetje në atë kohë, por nuk qe arrestuar.
Provat e reja të zbuluara gjatë hetimit të vrasjes së Lübckes bënë që prokurorët të ngrinin akuza për goditjen me thikë të vitit 2016. Më e rëndësishmja, në bodrumin e Stephan E. u gjet një thikë, që kishte gjurmë të ADN-së tipike për rajonin nga ishte Ahmed I.
Avokati i bashkëpaditësit, Alexander Hoffmann tha se po të qe kontrolluar në vitin 2016 shtëpia e Stephan E., ai do të ishte dënuar dhe nuk do të kishte pasur kurrë mundësi të vriste Lübcke.
aud (dw, dpa)